Ambasadorja amerikane për Gjykatën Speciale: Kosova po “rrezikon legjitimitetin”

Kosovë&Rajon

jacobsonAmbasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë,Tracy Ann Jacobson, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të themelojnë Gjykatën Speciale për krime lufte.

Në të kundërtën, Jacobson ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë strategjikë nuk do të bllokojnë më tutje procesin e themelimit të kësaj gjykate nga Kombet e Bashkuara.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“U bëj thirrje liderëve politikë, qeverisë dhe kuvendit që ta marrin seriozisht këtë dhe të lëvizin përpara, e jo të rrezikojnë legjitimitetin e vazhdueshëm dhe reputacionin, për shkak të një numri të vogël të njerëzve që mund të akuzohen nga kjo gjykatë”, ka thënë Jacobson.

Ajo i ka bërë këto komente me rastin e aktivitetit të USAID-it “Angazhimi për barazi”, i cili ka nisur të mërkurën në Prishtinë.

Jacobson ka thënë se është duke pritur nga Qeveria e Kosovës që të pranojë draftin e fundit për Gjykatën Speciale për krime lufte, i cili është prezantuar nga Brukseli.

Kërkesa për themelimin e kësaj gjykate ka pasuar hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për përfshirjen e disa ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës.

Javën e kaluar, Kuvendi ka shtyrë votimin e ndryshimit kushtetues për themelimin e këtij institucioni, me arsyetimin se nuk është përkthyer ende drafti final i Ligjit për Gjykatën Speciale për krime lufte, i cili është negociuar midis Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Opozita në Prishtinë është katergorikisht kundër themelimit të kësaj gjykate.

Të mërkurën, tre liderët e partive opozitare kanë kërkuar nga udhëheqësit e institucioneve shtetërore në Kosovë, që të ndërpriten menjëherë të gjitha veprimet politike dhe institucionale në lidhje me ndryshimin kushtetues, për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën, kanë nënshkruar një letër publike, drejtuar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendës-kryeministrit të parë,Hashim Thaçi.

ME TE LEXUARAT