Albin Kurti: Kosova del e humbur nga mosvotimi i Gjykatës Speciale

Kliko per me shume info

albin-kurti14Ish- kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tash deputet i Kuvendit të Kosovës, ka ripërsëritur se mos votimi i Gjykatës Speciale nuk do të sjellë dëme për Kosovën.

Ai në një shkrim autorial, ka thënë se të vetmit që mund të humbin nga mos votimi i Specialës janë udhëheqësit e shtetit.
Shkrimi i plotë i Kurtit:
Kuisja e izolimit
Më 14 nëntor 2013, ambasadori amerikan në Shqipëri kishte deklaruar që “SHBA-të do të ndjeheshin të zhgënjyera në rast se kryeministri Edi Rama do të përgjigjej negativisht për këtë kërkesë”. Më 15 nëntor 2013, Edi Rama, pas një serie protestash gjithandej Shqipërisë, refuzon që shkatërrimi i armëve kimike të bëhet në Shqipëri. Megjithë zërat e ngjashëm me ata të sotshëm në Kosovë, mbi rreziqet që do ta prisnin Shqipërinë nga ky refuzim, raportet e saj me Shtetet e Bashkuara mbeten shumë të mira, sot e asaj dite. Shqipëria nuk ka pasur asnjë konsekuencë negative. As Kosova nuk do të ketë pasoja për Gjykatën që nuk ia bëri vetes. E gjithë kuisja vendëse për ndëshkimet e mundshme ndërkombëtare, në thelb, është (rrymë) e induktuar: kjo kuisje është veçse kujisje ndërkombëtare se mos Kuvendi i Kosovës po mësohet me këso padëgjueshmërie (psh. duke ia vazhduar atë edhe ‘Zajednicës’).
Nuk e di se si do të mund të izolohej Kosova më shumë se kaq. Sipas ueb faqes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, shtetet në të cilat qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa viza janë: Shqipëria, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Ishujt Maldive. Mund të udhëtojnë edhe për në Serbi me kusht që nuk e marrin me vete pasaportën ose e fshehin atë duke e treguar vetëm letërnjoftimin. Kosovës pa Gjykatë Speciale nuk do t’i ndërrohet kjo gjendje për të keq. Kosovës nuk do t’i vendosin viza Shqipëria, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Ishujt Maldive kurse Serbia nuk do të na e pamundësojë kalimin e kufirit me letërnjoftim. Pushimeve verore në Shqipëri, Ulqin, Ohër dhe në Ishujt Maldive sërish ua jep vizën vetëm trashësia e kuletës. Paradoksalisht, kuisja do ta ndërtojë një lajm të mirë për qytetarët e Kosovës: urime, nuk do të bëhet më keq, përkatësisht, nuk do të bëhemi më të izoluar se kaq.
Të vetmit që do të mund të kenë pasoja nga burokratët ndërkombëtarë për shkak të këtij vendimi të Kuvendit do të mund të jenë krerët e institucioneve të Kosovës të cilët i zhgënjyen ndërkombëtarët duke mos ua mbajtur premtimin atyre. Mustafa, Thaçi e Veseli sigurisht që u kanë premtuar shumë politikanëve e diplomatëve ndërkombëtarë se miratimi i ndryshimit kushtetues në Kuvendin e Kosovës është punë e kryer dhe, kësisoj, shtegu për Gjykatën Speciale është tashmë i hapur. Nuk ndodhi ashtu dhe të tre këta do të mund të qortohen ashpër në takimet në vijim që do t’i kenë me ndërkombëtarët e ndoshta edhe të izolohen ca prej tyre. Mirëpo, nga kjo nuk humbet gjë shteti e populli i Kosovës por vetë këta uzurpues të shtetit që sundojnë duke u thirrur në marrëdhënien e shkëlqyeshme që paskan me faktorët ndërkombëtarë. Mustafa, Thaçi e Veseli i kanë zhgënjyer për shumë e shumë vite qytetarët e Kosovës. Kjo do të duhej të na brengoste neve dhe jo fakti që më në fund ata i zhgënjyen një herë të vetme edhe ndërkombëtarët. Pra, përveçse nga ndërkombëtarët kuisja është (rrymë) e induktuar edhe prej vetë krerëve të koalicionit PDK-LDK-Srpska.
Tash që nuk ia bëmë Gjykatën vetes, në këto çaste të kuisjes lart që jehon poshtë dhe të panikut special që transmetohet medialisht, ftoj për qetësi dhe gjakftohtësi, për arsye dhe durim. Le të mbizotërojnë paqja dhe logjika.

Kliko per me shume info
SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here