Të mërkurën, verdikti për Grupin e Drenicës

Kosovë&Rajon

drenicaTë mërkurën e kësaj jave, trupi gjykues i misionit EULEX në Gjykatën Themelore të Mitrovicës pritet që ta shpallë verdiktin ndaj grupit të pjesëtarëve të dikurshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në regjionin e Drenicës.

Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sabit Geci, Ismet Haxha, Sahit Jashari, Jahir Demaku dhe Avni Zabeli pritet që më 27 maj ta dëgjojnë verdiktin e shkallës së parë nga kryetari i trupit gjykues Darius Sielicki. Verdikti i trupit gjykues vjen pas dhjetëra seancave të mbajtura dhe dëgjimit të dëshmitarëve të cilët nga këndvështrime të ndryshme kanë treguar për periudhën e luftës në Kosovë e posaçërisht në Drenicë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Shtatë të pandehurit akuzohen se kanë kryer krime lufte ndaj popullatës në një qendër të ndalimit në Likovc të Drenicës.

Pretendimet e Prokurorisë që janë përfshirë në aktakuzën e ngritur më 6 nëntor të vitit 2011 në vazhdimësi janë hedhur poshtë nga të pandehurit si dhe nga avokatët e tyre. Këta të fundit këto mohime i kanë bërë edhe gjatë fjalëve të tyre përfundimtare të dhëna në përfundim të administrimit të provave në procesin kundër “Grupit të Drenicës”.

Të gjithë të pandehurit i kanë mbështetur fjalët e dhëna nga mbrojtësit e tyre. Një gjë të tillë e ka bërë edhe Sabit Geci i cili megjithatë ka paralajmëruar se do të flasë në një seancë që është caktuar të mbahet nesër (e hënë), në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. “Të gjithë të pandehurit e kanë të drejtën që të flasin të hënën dhe klienti im ka paralajmëruar se do ta thotë fjalën e tij përfundimtare. Unë e kam respektuar vullnetin e tij dhe ai do ta paraqesë fjalën përfundimtare të tij”, ka thënë për “Zërin”, mbrojtja e Sabit Gecit, avokati Haxhi Millaku.

Millaku ka shtuar se klienti i tij në fjalën përfundimtare do të ndalet në disa pika duke u nisur nga gjendja e tij shëndetësore për kohën në të cilën dyshohet se ka kryer vepra penale. Siç e ka thënë edhe në fjalën e tij përfundimtare, Millaku e ka përsëritur se për të mërkurën kur është paralajmëruar shpallja e verdiktit, ai pret aktgjykim lirues.

“Vetë prokurori në fjalën përfundimtare ka hequr dorë nga disa dëshmitarë të tij. Thjesht, Prokuroria është bindur se kanë qenë dëshmi pa bazë dhe deklaratat e tyre kanë qenë vetëm përshkrime hipotetike. Edhe vetë aktakuza në këtë rast është një aktakuzë e pabazë, e paqëndrueshme, e padrejtë, hipotetike si dhe ka mangësi të panumërta”, ka deklaruar Millaku.

Prokurori i EULEX-it Charles Hardway, fjalën e tij përfundimtare e ka dhënë më 24 prill të këtij viti. Ai ka thënë se ka pasur keqtrajtime në burgun e Likovcit gjatë periudhës së luftës në Kosovë dhe për këto keqtrajtime, sipas tij, janë përgjegjës të akuzuarit në këtë rast. “Në lidhje me përgjegjësinë penale, Prokuroria është e mendimit se të gjithë të akuzuarit janë përgjegjës për këto krime, sepse individualisht, apo në bashkëkryerje me të tjerët në cilësinë e tyre si pjesëtarë të UÇK-së, ata i kanë arrestuar dhe burgosur në mënyrë të paligjshme dhe kanë marrë pjesë në rrahjen, keqtrajtimin dhe vrasjen e civilëve“, ka thënë mes të tjerash prokurori Hardway.

Pavarësisht kësaj, avokatët kanë shfaqur bindjen se provat e administruara në gjykatë e kanë shfaqur pafajësinë e klientëve të tyre. Një gjë të tillë e ka thënë gjatë javës së kaluar Arianit Koci, avokat i të akuzuarit Sami Lushtaku. I kontaktuar nga gazeta ai shkurt ka thënë se pret aktgjykim lirues, derisa nuk ka dhënë detaje të tjera për pritjet e tij. Çdo komentim në këtë fazë, sipas Kocit, do të merrej si tendencë për të ndikuar në vendimin e gjyqtarit të çështjes.

ME TE LEXUARAT