Rama në Has: Gënjeshtrat janë të ëmbla! Reformat tona janë ilaç i hidhur por i domosdoshëm

Politikë

ram hasKryeministri Edi Rama ne cilesine edhe te Kryetarit te mazhorances prezantoi kandidatin e shumices ne Bashkine e Hasit.

Fjala e Kryeministrit dhe njëherësh Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në prezantimin e kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” në Has, Adem Lala:

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Jam shumë i kënaqur që sot kam mundësinë, në radhë të parë, të falenderoj me mirënjohje dhe me respekt për punën shumë të vështirë, për mundimet shumë të mëdha dhe për sakrificat që ka bërë në krye të detyrës Limani, miku im dhe kryetari i bashkisë së vjetër.

Ndërkohë t’ju them se së bashku me Limanin, edhe me të tjerët, kemi menduar se është koha që për bashkinë e re, një bashki e cila sot është shumë më e madhe si territor, por dhe si probleme, nga ajo që kishim deri tani, t’ia besojmë mbështetjen tonë Adem Lalës, të cilin ju e njihni, të cilin e njohin banorët e kësaj zone, për faktin e thjeshtë se është një njeri që asnjëherë nuk është ndarë nga banorët e zonës dhe ka një karakteristikë që mua vetë më pëlqen shumë, që është edhe më kokëfortë se Limani.

Unë me Limanin jemi shumë miq, por nga të gjithë kryetarët e bashkisë të PS është ai me të cilin kemi bërë më shumë debat. Vetëm se një gjë është e sigurt, asnjëherë një debat, sepse ky ka kërkuar ndonjë gjë për vete. Gjithmonë, vetëm sepse ka dashur që unë të jem i vëmendshëm dhe të mbështes këtë bashki, këtë komunitet dhe të ndihmoj përmes mbështetjes së kësaj bashkie të gjithë ju. Është falë këmbënguljes së tij, që ne dhamë financimin për të vazhduar rrugën e lënë rrugëve, nga ai tjetri që Limani s’e donte fare.

Sigurisht që sot jemi këtu, 18 muaj pasi kemi marrë detyrën, falë mbështetjes që na keni dhënë dhe ju. 18 muaj janë shumë pak për të zgjidhur gjithë ato probleme dhe për të shëruar gjithë ato plagë që këtu janë hapur në 20 e ca vite. Në 20 e ca vite, ku kjo zonë dhe gjithë ky qark ka mbijetuar falë punës së jashtëzakonshme të njerëzve tuaj në emigracion, vetëm falë punës së jashtëzakonshme të familjeve këtu, që nuk i janë dorëzuar dëshpërimit dhe që kanë bërë çmos që t’i rrisin fëmijët pa e braktisur zonën.

Megjithatë besoj se në 18 muaj, ne kemi bërë aq sa për të qenë sot më të sigurt, sesa ishim 18 muaj më parë, se Shqipëria jonë, se ekonomia jonë, se arsimi dhe shëndetësia e me radhë të gjitha të tjerat po kthehen në drejtimin e duhur.

Për të vazhduar rrugën në drejtimin e duhur, unë jam këtu për t’u bërë thirrje juve, pa ju ndarë në socialistë dhe demokratë, por të gjithëve ju si hasianë, që t’i jepni besimin e plotë Adem Lalës. Sepse për të mundur që qeveria të jetë pranë jush dhe për të mundur që projektet e bashkisë të bëhen realitet, qeveria ka nevojë që të jetë njeriu i duhur, që të shikojë në drejtimin e duhur. E ky është vetëm Adem Lala.

E di që po të ishte për mua si person do të isha më rehat me atë tjetrin, se nuk do të bëja debat. As do më fliste dhe meqë s’do më fliste, as do i flisja. E di që me Ademin do kem dhimbje koke se do më ngelet në derë, sa herë që ju t’i jeni atij në derë, por jam gati që së bashku me Ademin dhe së bashku me Limanin, ne të bëjmë për ju, përmes bashkisë, në 4 vite e ardhshme, aq sa nuk është bërë në 20 vjet të marra së bashku.

Unë nuk besoj se ka një shqiptar apo një shqiptare, një burrë apo një grua, që e di çfarë është puna, që jeton me punë, që shtëpinë e ka ndërtuar me gjak e me djersë dhe me kursim e me sakrifica, që çdo ditë lufton për të ushqyer fëmijët dhe për t’i çuar në shkollë, që të mendojë se plagët e hapura për njëzet e ca vjet dhe problemet e rënduara njëzet e ca vjet mund të zgjidhen të gjitha për 18 muaj. Se po t’i kishim bërë të gjitha për 18 muaj, atëherë unë nuk do të isha më kryeministër, por do të isha magjistar dhe do të më merrnin nëpër botë që t’ua u zgjidhja problemet me shkop magjik.

Mos harroni dhe një gjë tjetër, se ku e gjetëm ne shtëpinë tonë të përbashkët,

Shqipërinë, si e gjetëm ne kur hymë në shtëpi për të marrë në dorë administrimin e shtëpisë. Se baba kishte ik dhe i kishte lënë të gjitha paret e shtëpisë në bixhoz dhe ju kishe thënë njerëzve jemi mirë shumë, jemi të dytët pas Gjermanisë dhe Kina tani është pas nesh. Të nesërmen pamë tek dera e shtëpisë njerëzit që kërkonin lekët për babën. 720 milionë dollarë borxhe. Borxhe për ato rrugët që hapeshin në kohë të fushatave elektorale, me ato gërshërët që priteshin shirita dhe ngeleshin rrugëve, siç ngeli rrugëve edhe rruga këtu.

Një gjë të fundit kam unë. Gënjeshtrat janë të ëmbla dhe njerëzit që janë të zhytur në varfëri dhe dëshpërim kanë nevojë për fjalë të mira dhe jo rrallë bien pre e gënjeshtrave të ëmbla. Po ja, shikoni Shqipërinë se ku na e lanë ata që na mbajtën me gënjeshtra gjithë ato vite. Me borxhe, me probleme dhe me një shtet përtokë. Ilaçet janë të hidhura. A ka ndonjë prind që ka dëshirë t’i japi fëmijës së vet diçka të hidhur? Nuk ka! Po a ka ndonjë prind që thotë nuk po ja jap fëmijës ilaçin se është i hidhur? Nuk ka prind të përgjegjshëm që nuk ja jep ilaçin fëmijës për ta shëruar. E pra, reformat që ne po bëjmë janë ilaçi, janë ilaçi që është i hidhur, por është e vetmja mundësi që ne të shohim përpara dhe nesër të jemi shëruar.

Unë e di shumë mirë edhe se çfarë do të thotë të paguash drita për njerëz që kanë mundësi shumë të kufizuara. Por e dini çfarë? Në rast se ne do të vazhdonim mos të paguanim drita, ne do të mbeteshim të gjithë pa drita. Ne do të ishim të gjithë në gropë. Ndërkohë që sot, falë faktit që njerëzit kanë filluar të gjithë të paguajnë dritat, ne do të kemi mundësi që ato para që i merrnin nga ata që paguanin, për të mbushur gropën që hapej, nga ata që vidhnin apo nuk paguanin, t’i çojmë për shkolla, t’i çojmë për kopshte, t’i çojmë për çerdhe dhe kështu me radhë.

Sigurisht që kjo kërkon një sakrificë. Po kush nga ju, kush nga prindërit tuaj, kush nga gjyshërit tuaj që nuk jetojnë më ka lënë ndonjë porosi se si mund të jetohet pa sakrifica, pa mundime dhe në kurriz të të tjerëve. Askush! Ka vetëm një politikë dhe një njeri që e ka gjykuar se mund të jetohet në kurriz të të tjerëve dhe ky është Saliu, është politika e Saliut. Politika e atyre që sot e gjithë ditën derdhin lot krokodili në parlament.

Ne do t’i mbështesim fort, të gjithë ata që duan të jetojnë me punën e tyre dhe që kanë nevojë për mbështetje, të gjithë ata që jetojnë në komuna këtu dhe që kanë një fermë të vogël, apo që duan ta bëjnë, por nuk kanë mundësi.

Në 21 qershor ta zgjedhim Ademin dhe ta vendosim bashkinë me njeriun e duhur, në drejtimin e duhur.

Faleminderit!

ME TE LEXUARAT