Qeveria miraton paketën e ligjeve të propozuara nga Ministria e Drejtësisë

Kosovë&Rajon

qeveri-mbledhjeQeveria e Kosovës miratoi në mbledhjen e sotme paketën e ligjeve të propozuara nga Ministria e Drejtësisë.

Kryeministri Isa Mustafa duke folur për rëndësinë e paketës prej pesë ligjeve në fushën e drejtësisë, theksoi se “kjo ka qenë dhe mbetet ndër prioritetet e qeverisë së Republikës së Kosovës, që ndërlidhet me përmbushjen e kushteve dhe kritereve që janë të listuara për liberalizimin e vizave dhe si parakusht për marrjen e vendimit politik të Bashkimit Evropian me qëllim të heqjes së regjimit të vizave për Kosovën”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kreu i qeverisë falënderoi Ministrinë e Drejtësisë, që ka punuar në këtë fushë, si dhe u shpreh se tashmë janë siguruar ligjet, të cilat i sqarojnë kriteret për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe po ashtu sigurojnë pavarësi të gjyqësorit dhe prokurorisë.

Gjatë mbledhjes qeveria e Kosovës shqyrtoi dhe miratoi projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, me të cilin eliminohen pengesat dhe vështirësitë e identifikuara të ligjit aktual; pr/ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i cili ka për qëllim rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit të punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përcaktohet përbërja e Këshillit, si dhe mënyra e funksionimit të administratës së Këshillit dhe të prokurorive; pr/ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit. Plotësim ndryshimet e përfshira në Projektligjin për Prokurorin e Shtetit i referohen krijimit të infrastrukturës së përgjithshme për një funksionim të sistemit Prokurorial.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka miratuar dhe dy nisma të marrëveshjeve të propozuara nga Ministria e Punëve të Jashtme, përkatësisht, Nismën për lidhjen e Marrëveshjes me Shtetin Gjerman për Punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të anëtarëve të një misioni diplomatik apo posti konsullor të karrierës si dhe Nismën për lidhjen e Marrëveshjes dypalëshe për heqjen e vizave hyrëse për mbajtësit e pasaportave diplomatike, pasaportave të veçanta dhe atyre të shërbimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit.

Kryeministri Isa Mustafa prezantoi kërkesën për t’i propozuar Kuvendit tërheqjen e disa projektligjeve nga diskutimi në Kuvend, përkatësisht: Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-051 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës nr. 04/L-082 dhe projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore.

Sa i përket kësaj të fundit, kryeministri Mustafa theksoi se do të shihen disa përputhshmëri me kriteret e UNESCO-s, meqenëse tash po propozohet anëtarësimi në UNESCO.

ME TE LEXUARAT