Malaj: Ekonomia po vuan nga mungesa e besueshmërisë

Aktualitet

arben-malaj1Skenari më i keq i realizimit të mosrealizimeve, mund të jetë mbledhja e sforcuar e të ardhurave apo në mënyrë abuzive akoma më i keq, bllokimi i shpenzimeve jetike dhe sidomos mosfinancimi i investimeve publike me burime të brendshme, duke dëmtuar impaktin e tyre pozitiv mbi ambientin e biznesit dhe për pasojë, mbi rritjen ekonomike./Intervistë me z.Arben Malaj, ish ministër i financave dhe President i Institutit për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen (IPPM)

Efektet psikologjike ndër biznese dhe konsumatorë janë po aq të rëndësishme sa edhe vendimet teknike në ekonominë modernë. Eksperti i Ekonomisë Arben Malaj, Presidentit i Institutit për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen (IPPM), sugjeron, se strategjia më e mirë për të çuar ekonominë përpara është reduktimi i paqartësive të individëve dhe biznesit dhe rritja e pritshmërive pozitive në ekonomi. Aktualisht konstatohet një risk nga mosrealizimi i të ardhurave buxhetore, por janë disa opsione për ta amortizuar atë pa shkuar në panik për ndryshim e taksave apo përkeqësim të administrimit fiskal, thotë Malaj, i cili sugjeron injektimin e një klime më të madhe besueshmërie ndër konsumatorë dhe biznese.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

E rëndësishme, sipas tij është që të mbahet parasysh se presioni për realizimin e mosrealizimeve të deritanishme në afatshkurtër mund të përmirësojë disa përqindje numerike, por në afatgjatë dëmton biznesin, rritjen ekonomike dhe stabilitetin e financave publike. Ish ministri i Financave, në qeverisjen socialiste të viteve 2000 thotë se, skenari më i keq mund të jetë mbledhja e sforcuar e të ardhurave apo në mënyrë abuzive akoma më i keq, bllokimi i shpenzimeve jetike dhe sidomos mosfinancimi i investimeve publike me burime të brendshme, duke dëmtuar impaktin e tyre pozitiv mbi ambientin e biznesit dhe për pasojë, mbi rritjen ekonomike.

Si do ta vlerësoni ecurinë e të ardhurave në buxhet në 4 muajt e parë të vitit, sidomos ato nga tatimet e doganat që kanë tendencë negative (në një kohë që qeveria vazhdon t’i qëndrojë pritshmërisë për rritje ekonomike 3% dhe inflacioni ishte 2.3% në prill)?

Mosrealizimi i të ardhurave paraqet një trend jopozitiv krahasuar me planin dhe mesataret 10-vjeçare. Shqetësimi bazohet jo vetëm në nivelin e shifrave por edhe të faktit që konstatohet mosrealizim gati në të gjithë treguesit. Në disa prej tyre, mosrealizimi është në nivele mbi 20% siç konstatohet tek akciza minus 3.2 mld lekë ose 23.7% më pak. Mosrealizimi i tatimit në të ardhurat personale është rreth 3 mld lekë ose 26% më pak dhe taksat nga biznesi i vogël minus 0.8 mld lekë ose – 24.4% më pak se plani.

Në aspektin e deficitit dhe borxhit, 4-mujori duket nën kontroll, por ai aktualisht është rezultat i mosrealizimit të shpenzimeve që janë më të mëdha se mosrealizimi i të ardhurave. Më konkretisht, mosrealizimi i të ardhurave totale është 4.3 mld lekë dhe i atyre nga tatimet dhe doganat 835 mld lekë. Mosrealizimi i shpenzimeve gjithsej është 12.5 mld lekë. Mosrealizimet në investimet publike në total janë 1.2 mld lekë, ka tejkalime në investimet me burime të brendshme dhe rreth 2 mld lekë mosrealizime të investimeve me burime të jashtme.

Deficiti buxhetor i 4-mujorit rezulton rreth 76% e nivelit të planifikuar për këtë periudhë. Por n.q.s qeveria do të realizojë planin e shpenzimeve vjetore, ai rrezikohet në muajt e ardhshëm. Kjo sepse kompensimi i mosrealizimeve të të ardhurave gjatë 4 muajve të parë të vitit është i vështirë të kompensohet nga tejkalimet e tyre gjatë 8 muajve të ardhshëm.

Skenari më i keq i realizimit të mosrealizimeve, mund të jetë mbledhja e sforcuar e të ardhurave apo në mënyrë abuzive akoma më i keq, bllokimi i shpenzimeve jetike dhe sidomos mosfinancimi i investimeve publike me burime të brendshme, duke dëmtuar impaktin e tyre pozitiv mbi ambientin e biznesit dhe për pasojë, mbi rritjen ekonomike.

Si e shpjegoni faktin që rritja e disa taksave nuk po gjeneron më shumë të ardhura në buxhet?

Duhet saktësuar planifikimi sipas periudhave të ndërmjetme (muaj/tremujorë/katërmujorë etj.) gjatë një viti buxhetor. Në analizat e mosrealizimeve të të ardhurave nga akcizat duhet qartësuar sa vjen nga rënia e konsumit/importeve fizike sipas grupmallrave (rënia e kërkesës apo rritja e kontrabandës) dhe sa nga efekti i kurseve të këmbimit.

Në varësi nga kjo analizë, qartësohet shkaku kryesor i mosrealizimeve dhe përcaktohet fokusimi për muajt e ardhshëm. N.q.s është nga rënia e zhdoganimeve duhet përmirësuar administrimi akcizës, n.q.s efekti është nga kursi i këmbimit, duhet prognoza dhe rikalkulime për të parë madhësinë dhe riskun e mosrealizimeve deri në fund të vitit. Buxheti i çdo viti ka një fond kontingjence për mosrealizimet. Duhet analizuar risku i mosrealizimeve të të ardhurave, kursimet (jo bllokimi i shpenzimeve) dhe të vlerësohet shkalla e riskut mbi deficitin, borxhin dhe stabilitetin e financave publike për vitin 2015. Ministria e Financës ka ekspertë dhe ekspertizë të kualifikuar për këto analiza dhe për rekomandimet më të mira. E rëndësishme është që të mbahet parasysh se presioni për realizimin e mosrealizimeve të deritanishme në afatshkurtër mund të përmirësojë disa përqindje numerike, por në afatgjatë dëmton biznesin, rritjen ekonomike dhe stabilitetin e financave publike. 

A e shikoni të realizueshëm planin fillestar për të rritur të ardhurat në vlerë absolute me mbi 10% për 2015-n, apo prisni të shkojmë drejt ndryshimit të buxhetit?

Kontingjenca, destinacioni dhe madhësia e së cilës përcaktohet në ligjin vjetor të buxhetit është pjesë e buxhetimit pikërisht për të amortizuar efektin negativ të mosrealizimeve në të ardhurat dhe për të mos e ndryshuar shpesh buxhetin. Kjo është një nga kritikat kryesore për cilësinë e hartimit dhe të implementimit të programeve buxhetore afatmesme dhe vjetore. Aktualisht konstatohet një risk nga mosrealizimi i të ardhurave buxhetore, por janë disa opsione për ta amortizuar atë pa shkuar në panik për ndryshim të taksave apo përkeqësim të administrimit fiskal. Strategjia më e mirë, reduktimi i paqartësive të individëve dhe biznesit dhe rritja e pritshmërive pozitive në ekonomi.

Në këtë situatë, çfarë sugjeroni që duhet të bëjnë financat, të cilat gjenden dhe nën presionin e FMN-së për uljen e borxhit. Sa rrezikojmë një rritje taksash?

Më duhet të qartësoj që nuk është FMN që bën presion. Është detyrimi ynë të ndërmarrim politikat më të mira ekonomike e fiskale që kanë impakt pozitiv në rritjen ekonomike dhe stabilitetin e financave publike. Personalisht jam kundër ndryshimit të shpeshtë të politikave fiskale dhe të programeve buxhetore afatmesme dhe vjetore. Natyrshëm në realizimin e buxheteve ka pasur shpesh mospërputhje, diferenca dhe mosrealizime. E rëndësishme është që ato të mos jenë aq të mëdha sa mosrealizimi i shpenzimeve të dëmtojnë investimet dhe prioritetet e shpenzimeve publike si arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale. Duhet gjithashtu që mosrealizimet në të ardhura të mos jenë aq të mëdha sa të rrisin deficitin primar dhe borxhin publik dhe të vënë në rrezik stabilitetin e financave publike.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë nisur nga të dhënat e deritanishme dhe a e shikoni të arritshëm objektivin prej 3% të rritjes?

Ndoshta jo, por diferenca nuk do të jetë aq e madhe sa të krijojë risk për stabilitetin e financave publike. Eliminimi i pengesave artificiale në disa sektorë të ekonomisë, rritja e kreditimit të sektorit privat dhe individëve gjatë tetë muajve të ardhshëm mund të amortizojnë riskun e krijuar gjatë 4 muajve të parë.

Në afatin e mesëm e të gjatë, çfarë duhet bërë për të përshpejtuar ritmet e rritjes dhe për të nxjerrë ekonominë nga apatia?

Jemi në kushtet kur instrumentet kryesore të politikave monetare janë në kufijtë limit për ta ndikuar rritjen tonë ekonomike.

Reduktimi i kredidhënies për shkak të niveleve të larta të kredive me problem vazhdon të pengojë rritjen ekonomike. Eliminimi sa më parë i kësaj pengese në burimet e financimit, mbetet prioritet.

Jemi në kushtet kur hapësira e politika fiskale për nxitjen e rritjes ekonomike vit pas viti ngushtohet. Hapësirat për një politikë fiskale ekspansioniste limitohet nga niveli kritik i borxhit publik.

Opsioni më i rëndësishëm, me efekte më të mira dhe afatgjatë, janë reformat strukturore, duke filluar nga reduktimi i impakteve negative të agresivitetit politik mbi pritshmëritë e individëve, biznesit dhe administratës publike. Prioritetet kryesore në ekonomi janë: (i) thellimi i përmirësimit të ambientit të biznesit, (2) administrimi fiskal, (3) reduktimi i deficiteve dhe borxheve strukturore dhe (iv) i subvencioneve direkte dhe indirekte në sektorë dhe kompani të ndryshme publike. Lista mund të jetë më e plotë dhe prioritetet të renditura më mirë, ekspertiza vendase dhe e huaj nuk mungon.

ME TE LEXUARAT