Luftëtarët e ikur nga Kumanova i pret burgu në Kosovë!?

Kosovë&Rajon

buNëntë kosovarë u vranë në konfliktin e armatosur në Kumanovë më 9 e 10 maj. Edhe disa të tjerë iu shmangen rrethimit të forcave policore e ushtarake maqedonase. Këta të fundit i pret burgu, nëse kapen nga Policia e Kosovës. Në Kosovë pjesëmarrja e kosovarëve në konflikte jashtë shtetit të Kosovës konsiderohet e paligjshme. Madje të zgjedhurit e popullit kanë miratuar edhe një ligj për këtë punë.

Kuvendi i Kosovës në muajin mars ka miratuar Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Nxjerrja e këtij Ligji ishte parë si një prioritet për faktin se Kosova është zotuar të përfshihet në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar.

Por tani një deputet kosovarë pohon se ligji përfshin të gjithë kosovarët që marrin pjesë në luftërat jashtë territorit të Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike, Anton Çuni ka deklaruar për Gazetën Fjala se të gjithë qytetarët e Kosovës që marrin pjesë në luftërat jashtë kufijve do të trajtohen njësoj.

Ai ka thënë se ky ligj është i barabartë për të gjithë. Sipas tij edhe kosovarët që janë duke marr pjesë në konfliktet në Maqedoni do të ndëshkohen dhe trajtohen në bazë të ligjit.

“Në këtë ligj tregohet qartë se ndalohet pjesëmarrja në çdo konflikt apo luftë jashtë kufijve të shtetit. Të gjitha ata që e marrin pjesë në konflikte jashtë vendit do të trajtohen më ligj dhe do të dënohen ashtu siç thuhet në të. Nuk ka dallime a shkojnë në ISIS apo në Maqedoni, të gjithë janë luftra jashtë Kosovës”, ka thënë Çuni.

Ndërsa Shpend Kursani, analist, thotë se ligji që e ndalon pjesëmarrjen e kosovarëve në konflikte të armatosura jashtë vendit është mjaft i mangët kur është fjala se në çfarë organizime dhe pjesëmarrje të armatosura është e ndaluar dhe në një interpretim do të duhej ‘ti kapte edhe këta kosovarë që luftuan në Kumanovë.

Por ai nuk beson se institucionet e vendit do të veprojnë njëjtë ndaj tyre sikur edhe ndaj kosovarëve që marrin pjesë në konflikte të natyrave tjera.

“Nëse ata ekstradohen në Kosovë, mendoj se do të aplikohet ai ligj në mënyrë selektive apo nuk do të aplikohet fare. Mendoj se do të përdoret vetëm kodi penal për ti dënuar për armëmbajtje pa leje…”, thotë Kursani.

Edhe kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, deputeti nga radhët e AAK, Daut Haradinaj në kohën e miratimit të ligjit ka deklaruar se ligji është i qartë dhe ai ka si qëllim parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit.

“Përmbajtja e ligjit është parandalimi i njerëzve që t’u bashkohen organizatave të ndryshme, potencialisht terroriste. Mendoj se nuk është ligji më i miri në botë, por në këto rrethana është i domosdoshëm që ta merr besimin e deputetëve”, ka thënë Haradinaj, duke aluduar më tepër në personat që bashkohen organizatave terroriste në vendet e lindjes.

Pas konfliktit të Kumanovës Policia e Kosovës ka bërë me dije se ka kapacitetet e veta në realizimin e detyrave policore për menaxhimin dhe kontrollin në brezin kufitar Kosovë-Maqedoni.

“Lidhur me këtë Policia e Kosovës ka të angazhuar zyrtarë policorë të mjaftueshëm me qëllim të kontrollit, sigurisë dhe parandalimit të çfarëdo lloj krimi duke përfshirë edhe krimin trans-kufitar”, bënë me dije për Gazeten Fjala zyra për komunikim me media në Policinë e Kosovës.

Pavarësisht kësaj nuk ka ndonjë person të arrestuar për pjesëmarrje në konfliktin e Maqedonisë.

“Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore konform autorizimeve ligjore që ka, lidhur me informacionet për personat e dyshuar të mundshëm të involvuar në incidentin në Kumanovë të Maqedonisë”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës. /Gazeta Fjala/

ME TE LEXUARAT