Ligji për turizmin, formalizim dhe zhvillim i të gjithë sektorëve

Aktualitet

turizemLigji i ri për turizmin që pritet të miratohet shumë shpejt në Kuvend, pritet të hyjë në fuqi nga data 10 Qershor.

Burime nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes shprehen së në bazë të këtij ligji, pritet të disiplinojë dhe formalizojë plotësisht industrnsë turistike në vend.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ligji i ri për turizmin parashikon investime, ku do t’u vihen në dispozicion terrene publike përmes konkurrimit të hapur për ndërtues, zhvillues të resorteve, hoteleve, strukturave akomoduese me 99 vjet dhe me 1 euro, në vartësi të shkallës së investimit.

Për këtë arsye, ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka filluar prej tre muajsh të bëjë skanimin e pronësisë publike në territorin e vendit, kryesisht në bregdet, me qëllim që të jenë të përcaktuara zonat në dispozicion të investimeve strategjike dhe në vecanti, për turizmin, thane burimet nga MZHETTS.

Ligji gjithashtu detyron shtetin të ndërtojë infrastrukturën mbështetëse për gjithë subjektet që ndërtojnë në bregdet, ku përfshihen rrugët, energjia, uji, telekomunikacionit, etj.

Mbi bazën e ligjit të ri, ministria ka përgatitur një paketë për turizmin, që përfshin bashkëpunimin me gjithë aktorët aktivë në këtë fushë, Dhomat e Tregtisë, operatorët turistikë, sipërmarrjet turistike, etj.

Ligji detyron operatorët që të strukturohen në aspektin e formalizimit dhe organizimit, ndërsa pritet të certifikohen yjet pranë cdo qëndre akomoduese për turistët, një mënyrë që do të nxisë më tej konkurrencën, por që synon që cdo turist që vjen nga jashtë, të dijë çfarë pret nga shërbimi turistik shqiptar.

Vlerësohet se sfida e turizmit shqiptar është shërbimi, pasi vërehet se ka nivele të pakta akomodimi në zonat më të kërkuara nga turistët, ndaj ekspertët gjykojnë se biznesi i ndërtimit duhet të fokusohet tek turizmi hotelerik në gërshetim me agroturizmin dhe përpunimin bujqësor.

Ministria ka përgatitur një paketë mbështetëse për turizmin, që përfshin elementët mbështetës në produktivitin e industrisë turistike, duke nisur nga zgjatja e sezonalitetit, mbajtja në punë e personave të trajnuar, duke hequr sigurimet, ndërsa së shpejti pritet hapja e aeroporteve të rinj në Kukës, Vlorë dhe Sarandë që do të ofrojnë cmime më të ulta për turistët.

Industria turistike sot jep vetëm 4.6 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, shifër e vogël, krahasuar me vendet e rajonit. Të ardhurat nga turizmi vjet arritën shifrën 1.3 miliardë usd, nga 1,1 miliardë në vitin 2013.

Objektivi për vitin 2015 është që të ketë rritje më të madhe pasi sivjet Shqipëria është përcaktuar si një nga 10 destinacionet turistike botërore.

“Rruga Egnatia” po tërheq mjaft kuriozitetin e turistëve, ndaj burimet e ministrisë bëjnë të ditur që promovimi i kësaj rruge të lashtë është futur në objektivat promovuese. Janë 6 milionë euro që këtë vit do t’i afrojnë USAID dhe Suedia në funksion të turizmit, ku përfituese do të jetë sipërmarrja private për të përmirësuar strukturat e veta mikpritëse, thonë burimet e MZHETTS-së.

Turizmi shqiptar konsiderohet në një moment kthese, pasi po ndryshon psikologjia e turistëve dhe po vijnë edhe turistët elitarë, turistët sfidantë, që përvec detit, kërkojnë të njohin kulturën, ushqimin bio. Sipas të dhënave, 37 % e turistëve në botë janë turistë kulturorë të interesuar për kalanë e Gjirokastrës, Beratin, Butrintin, Apolloninë, Shkodrën, Valbonën, etj, duke e bërë Shqipërinë, një destinacion të rëndësishëm.(ata)

ME TE LEXUARAT