Kosova dhe Bullgaria nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Kosovë&Rajon

1kosNë Pallatin e Drejtësisë së Bullgarisë, Instituti Gjyqësor i Kosovës dhe Instituti Nacional i Drejtësisë së Bullgarisë, nënshkruan memorandum bashkëpunimi.

Ky memorandum u nënshkrua dje nga Drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës, Lavdim Krasniqi dhe ai i Bullgarisë, Dragomir Yordanov, thuhet në një njoftim për shtyp të Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pas nënshkrimit të memorandumit, drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës, Lavdim Krasniqi tha se “me nënshkrimin e këtij memorandumi po konkretizohet bashkëpunimi mbi 10 vjeçar që ekziston mes dy instituteve”.

Sipas tij, memorandumi do të fuqizojë dhe do të zgjerojë fushat e bashkëpunimit ndërmjet dy instituteve në shërbim të ngritjes se kapaciteteve të gjyqësorit dhe prokurorisë së dy vendeve.

Drejtori Krasniqi, tha se instituti dhe ekspertët e drejtësisë së Bullgarisë kanë meritë të madhe në zhvillimin e Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe se çdo herë kanë qenë të gatshëm për të mbështetur sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit Nacional të Drejtësisë së Bullgarisë, Dragomir Yordanov, tha se bashkëpunimi mes të dy institucioneve, i cili vazhdon që një kohë të gjatë, sot me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit po forcohet.

Ai u shpreh se Republika e Kosovës është partnere e rëndësishme e Bullgarisë dhe shtoi se përvojat që ka Bullgaria në sistemin e drejtësisë, do t’i ndajë me Kosovën.

Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit kanë marrë pjesë edhe Kryetari i Gjykatës Supreme të Bullgarisë, Llozan Panov, ambasadori i Republikës së Kosovës në Bullgari, Shpend Kallaba dhe Minister-këshilltar në Ambasadë e Kosovës në Bullgari, Fitim Gllareva.

Nënshkrimi i këtij memorandumi të bashkëpunimit është bërë gjatë një programi praktik shkëmbimi që po zhvillohet në institucione të ndryshme të gjyqësorit dhe prokurorisë në Bullgari, i cili është organizuar nga Instituti Gjyqësor i Kosovës, ai i Bullgarisë dhe Projekti i BE-së “Mbështetje e reformës se edukimit gjyqësor në Kosovë”. Në këtë program po marrin pjesë prokurorë, gjyqtarë dhe staf administrativ nga sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor i Kosovës./

ME TE LEXUARAT