Greqi, mbahet sot procesi gjyqësor ndaj "Agimit të Artë"

Bota

agimiarteSot nis në Athinë procesi gjyqësor kundër Agimit të Artë, partisë neonaziste greke që akuzohet si organizatë kriminale.

Fillimi i këtij procesi pikërisht në 20 prill, në ditën e lindjes së Adolf Hitlerit, mendohet se ishte thjesht një koincidencë dhe nuk mbart asnjë simbolikë të veçantë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Procesi konsiderohet pa precedent në historinë europiane, pasi për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, ulet në bankën e të akuzuarve një parti politike e cila përfaqësohet në parlament.

Janë gjithsej 69 të pandehurit në këtë proces. Mes tyre, gjithë grupi parlamentar i legjislaturës së kaluar, 18 deputetë, me në krye shefin e partisë, Nikos Mihaloliakos. Të gjithë do të përballen me akuzën e krijimit, drejtimit dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale, ndërsa disa prej të pandehurve akuzohen për të paktën dy vrasje me paramendim.

Është fjala për vrasjen e këngëtarit antifashist, Pavlos Fyssas dhe të një emigranti nga Pakistani.

Gjykatësit do të vendosin nëse Agimi i Artë është një “morfemë e tipit nazist e kamufluar si parti politike”, siç nënvizohet në raportin e organit të akuzës.

Trupi gjykues do të vendosë gjithashtu nëse aktet e dhunës u kryen “në zbatim të parimeve të statutit” dhe synimeve të organizatës kriminale, siç thuhet në të njëjtin raport.

Gjyqi, pritet të zgjasë rreth një vit, ndërsa mbetet ende në pikëpyetje nëse salla e përmasave të vogla në sallën e burgut të grave në Koridalos do të mund t’u përgjigjet kërkesave në rritje të një procedure të tillë siç është ky proces gjyqësor. Ka pasur protesta masive kundër zhvillimit të gjyqit në mjediset e burgut.

Së pari, ato mjedise konsiderohen jashtëzakonisht të vogla, për të përballuar një proces me një numër kaq të madh të pandehurish. Më tej, më shumë se 100 do të jenë avokatët mbrojtës dhe vetëm dëshmitarët e akuzës janë 130.

Ankesa ka pasur edhe nga gazetarët, për mungesën e mjediseve të veçanta që ata të bëjnë punën e tyre. Gazetarët nuk do të kenë mundësi të përdorin as internet dhe as telefonat celularë, që bllokohen për arsye sigurie.

Protestat më të fuqishme janë bërë nga komuniteti lokal, nisur nga fakti se rreth burgut të Koridalosit ka 11 shkolla dhe procesi gjyqësor përkon me sezonin e provimeve, në kohën që masat e ashpra të sigurisë vlerësohet se do të krijojnë probleme të mëdha për aksesin në këto shkolla.

Prandaj, nuk përjashtohet që pas ditës së parë, kur do të lexohet aktakuza, gjyqi të ndërpritet dhe të fillojë sërish pasi të ketë mbaruar sezoni i provimeve.

ME TE LEXUARAT