Meta-Gojkoviç: Bashkëpunimi Shqipëri-Serbi, e vetmja rrugë për të lënë pas të kaluarën

Politikë

metaKryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti të mërkurën homologen e tij serbe, Maja Gojkoviç, me të cilën bisedoi rreth bashkëpunimit dhe marrëdhënieve dypalëshe.

Në prononcimin e përbashkët për shtyp, pas takimit, kryetari Meta tha se me kolegen serbe ndau bindjen që dy vendet të jenë më të hapur në bisedime dhe më kërkues në rezultatet e pritshme nga bashkëpunimi reciprok.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Bashkëpunimi është e vetmja rrugë përpara duke lënë pas të kaluarën e barrierave që na kanë penguar historikisht në avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ne duhet të intensifikojmë përpjekjet për të rritur bashkëpunimin ekonomik e tregtar në fushën e transportit, infrastrukturës, energjisë, telekomunikacionit, arsimit e kulturës”, theksoi Meta.

Dy kryeparlamentarët ndanë bindjen e përbashkët se, gjatë viteve të fundit marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë ngritur në një nivel të ri më dinamik, tregues i së cilës është dhe vizita e sotme e znj. Gojkoviç, e para e një

Meta vuri në dukje intensifikimin e vizitave reciproke siç ishte ajo e kryeministrit Rama në Beograd, në muajin nëntor, apo vizita e pritshme e kryeministrit Vuçiç në Tiranë. “Këto i shërbejnë bashkëpunimit konkret dypalësh në shërbim të mirëqenies, zhvillimit ekonomik dhe social mes dy vendeve tona. Ne do të punojmë akoma më shumë që ky vullnet pozitiv të materializohet me një anagazhim edhe më konkret reciprok për avancimin e projekteve madhore, sidomos në infrastrukturë, energji dhe në thithjen e investimeve të huaja”, tha Meta.

Duke u ndalur në zhvillimet në rajonin tonë, kreu i Kuvendit theksoi se shkëmbimi i kontakteve mes Tiranës dhe Beogradit konfirmon se të dy vendet janë të ndërgjegjshme për rolin dhe peshën që ato kanë në rritjen më tej të parametrave të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të rajonit tonë

“Shpreha vlerësimin maksimal për mbështetjen e avancimit të dialogut dhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve  Serbi-Kosovë, duke theksuar se Shqipëria mbështet plotësisht zbatimin integral të  marrëveshjes së prillit me ndërmjetësimin e BE-së”, theksoi Meta.

Sa i takon popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës, kryeparlamentari vuri në dukje domethënien e veçantë që ka për Shqipërinë kjo krahinë, ndërsa theksoi se pala shqiptare e sheh mirëqenien dhe integrimin me të drejta të plota të minoritetit shqiptar në Serbi si një gur themeltar i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe një urë e fortë bashkëpunimi e miqësie mes nesh. “Pjesëmarrja gjithnjë e më e madhe e shqiptarëve në vendimmarrjet politike e sociale të Serbisë i shërben konsolidimit të partneritetit mes dy vendeve tona”, theksoi kryetari i Kuvendit.

Në fund të deklaratës së tij, Meta theksoi se Shqipëria dhe Serbia, si dy vende kandidate për anëtarë në BE e kanë të qartë pikëpamjen e tyre për t’u integruar në familjen europiane. Ai konfirmoi mbështetjen e plotë për axhendën europiane dhe integruese të Serbisë, duke e konsideruar atë, partnere në rrugëtimin e përbashkët drejt BE-së.

Në mbështetje të qëndrimit të homologut Meta, kryeparlamentarja Gojkoviç konfirmoi rrugën drejt BE-së të dy vendeve, ndërsa vlerësoi dimensionin e ri ku kanë hyrë marrëdhëniet mes Tiranës e Beogradit, pasi deri më sot bashkëpunimi ndërparlamentar mungonte.

Në deklaratën e saj, Gojkoviç vuri në dukje se, “Shqipëria dhe Serbia kanë disa çështje për të cilat nuk pajtohen, por dhe vendet e BE-së kanë disa çështje për të cilat nuk pajtohen, por ne do të vazhdojmë bashkëpunimin në ato fusha ku biem dakord. E rëndësishme për dy parlamentet tona është të mbështesim bashkëpunimin. Me rëndësi është të nisë implementimi i dy marrëveshjeve të nënshkruara mes dy kryeministrave tanë për bashkëpunimin në rajon”, tha kryeparlamentarja Gojkoviç në deklaratën e saj për mediat.

ME TE LEXUARAT