Mbetet i pa kompletuar kabineti qeveritar i Kosovës

Kosovë&Rajon

qeveria-kosoveJanë bërë më shumë se tre muaj nga formimi i Qeverisë së Kosovës, por ende nuk është kompletuar kabineti qeveritar edhe me zëvendësministra.

Ditë më parë janë emëruar pesë zëvendësministra nga PDK-ja, ndërsa para disa javësh u emëruan disa të tjerë. Megjithatë, ende mbetet larg kompletimi i kabinetit qeveritar, i cili pritet t’i ketë më shumë se dyzetë zëvendësministra. Opozita dhe analistët e konsiderojnë mungesë serioziteti këtë qasje të qeverisë dhe lojë politike të partnerëve të koalicionit qeverisës.

Zyrtarët e Qeverisë që prej formimit më 9 dhjetor të vitit të kaluar, në vazhdimësi kanë thënë se do t’i emërojnë shumë shpejtë edhe zëvendësministrat. Por, janë bërë tre muaj qeverisje, dhe kabineti qeverisës mbetet i pakompletuar. Për opozitën, kjo qasje e qeverisë është e papranueshme. Kryetarja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi thotë se Qeveria po tregohet joserioze. Ajo thekson se kjo qeveri që ka krijuar dikasterë të panevojshëm, tani nuk arrin të konsolidohet me zëvendësministra. E kjo sipas saj, është lojë e partnerëve të koalicionit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Më tepër kemi lojë politike dhe si duket edhe përpjekjet që përmes militantëve të caktuar partiakë të përfitohet politikisht brenda partisë, sesa të punohet që të njëjtët t’i shërbejnë vendit, qytetarit, dhe interesave të tyre”, tha Kadaj-Bujupi për Radio Kosovën.

Nga njohësit e rrethanave politike, kjo shihet edhe si rezultat i mosmarrëveshjeve të brendshme të partive të koalicionit. Driton Selmanaj nga KDI-ja dyshon se zvarritja në emërimin e zëvendësministrave është e qëllimshme.

“Duket sikur kjo më tepër po kuptohet si kalkulim politik mes partnerëve, ose si tendencë për të shuar pakënaqësitë që mund t’i kenë brenda partive politike. Prandaj e kanë zgjedhur që prolongimin si mjet për të shuar ato zëra apo pakënaqësi eventuale që dalin qoftë brenda strukturave qoftë brenda partnerëve të koalicionit.

Qeveria e Kosovës i ka 21 ministra, e rrjedhimisht zëvendësministra pritet t’i ketë dyfishin. Por, sipas opinionistit Imer Mushkolaj, është dëshmuar në vazhdimësi që roli i zëvendësministrave është vetëm sipërfaqësor.

“Posti i zëvendësministrit, nga praktika që kemi parë deri më tash, është vetëm një post që thithë para nga buxheti i Kosovës dhe privilegje nga të qenit në këtë pozitë. Përndryshe nuk është se e zëvendëson ministrin në momente të caktuara kur ai është në ndonjë udhëtim zyrtar apo ndonjë angazhim tjetër”, thotë Mushkolaj.

Ndryshe, deri më tani janë emëruar disa zëvendësministra. Të fundit që janë emëruar janë pesë zëvendësministra nga PDK-ja, në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Administratës Publike, Ministrinë e Tregtisë dhe atë të Mjedisit. Por, mbetet edhe një numër i madh i posteve zëvendësministrore për t’u plotësuar. Ndërkohë është raportuar se në çdo ministri pritet të emërohen nga dy zëvendësministra, njëri nga PDK-ja, tjetri nga LDK-ja, e në disa ministri ku përfaqësohen pakicat, do të jenë edhe nga tre zëvendësministra.

ME TE LEXUARAT