Manifestime në 17 vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Kosovë&Rajon

prekazMe rastin e 17 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, qeveria e Republikës së Kosovës, në 5, 6 dhe 7 Mars, organizon manifestimin gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari.

Në 5 mars, në kazermën “Adem Jashari” të FSK-së në Prishtinë, duke filluar nga ora 11:00 do të mbahet ceremonia ushtarake e FSK-së. Në këtë ceremoni para të pranishmeve do të flasin kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Ksastrati dhe përfaqësuesi i familjes Jashari. Në ceremoni do të jenë të pranishëm drejtues të instiutucioneve më të larta shtetërore, diplomatë, atashe ushtarakë, përfaqësues të komunave, të ftuar të tjerë dhe qytetarë të Kosovës. Manifestimi është i hapur për të gjithë qytetarët e interesuar.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në 6 mars, duke filluar në orën 10.00 do të bëhen homazhe pranë varrit të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe varrezave të Familjes Jashari, në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt, si dhe në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së, në komunat e Republikës së Kosovës.

Në ora 18:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, do të mbahet Akademi përkujtimore kushtuar Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Në 7 mars, duke filluar nga ora 17:45, fillon Manifestimi, riti i dëshmorëve, ndezja e flakadanëve në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në orën 18.00 vazhdon manifestimi “Nata e Zjarreve” me një program kulturor-artistik i cili do të mbahet në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Ndërsa, ekspozita tematike “Qëndresa heroike e Familjes Jashari për liri”, në 5 mars nga ora 11:00, hapet për prezantim në Muzeun Historik Kombëtare në Tiranë, pas prezantimit të bërë nga dita e 102 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Flamurit Shqiptar, 28 nëntori 2014, deri në 28 shkurt 2015 në Muzeun e Kosovës.

Ekspezita “Qëndresa heroike e Jasharëve për liri, rast unik në historinë botërore”, është prezantuar me mbi 100 artefakte, eksponate tredimensionale, fotografi, dokumente, harta, shtyp të kohës dhe xhirime filmike.

Në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë./

ME TE LEXUARAT