Kapet "taksia" me 40 kg kanabis drejt Fierit, në kërkim drejtuesi

Aktualitet

polici gjirokasPolicia e Gjirokastrës ka bërë të mundur sekuestrimin e rreth 40 kg lëndë narkotike kanabis sativa e cila po transportohej me një automjet drejt Fierit, ndërsa ka shpallur në kërkim drejtuesin e saj.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas policisë, mbrëmjen e djeshme është marrë informacioni në rrugë operative se një person në brendësi të lagjeve të Gjirokastrës me një automjet taksi tip “Volkswagen Pasat” dhe me targa AB 087 T, po tentonte të transportonte lëndë narkotike në drejtim të Fierit.

Menjëherë Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve janë vënë në ndjekje të automjetit. Rreth orës 22.00, drejtuesi ka pikasur se po ndiqej nga policia dhe për t’u shmangur ka lëvizur me shpejtësi në një rrugë dytësore në lagjen “11 Janari” të Gjirokastrës. Si pasojë e shpejtësisë makina ka dalë nga rruga në një kanal,mbi shkollën Pedagogjike, ndërsa drejtuesi i mjetit ka braktisur mjetin dhe duke përfituar nga errësira dhe moti i keq është larguar.

Policia ka rrethuar automjetin dhe nga kontrolli i ushtruar ka konstatuar se në bagazhin e automjetit, ndodheshin 2 çanta të mbushura me 41 pako dhe me një peshë 40 kg lëndë narkotike kanabis sativa.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se targat AB 087 T të automjetit janë të falsifikuara dhe i përkasin një automjeti tjetër. Po ashtu është verifikuar se automjeti është në pronësi të shtetasit me iniciale A.K, 49 vjeç, lindur dhe banues në Himarë të rrethit Vlorë , i cili është shpallur në kërkim.

Nga ana e saj policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale lëndën narkotike dhe automjetin, ndërsa vijojnë hetimet për arrestimin e 49 vjeçarit transportues të drogës.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

ME TE LEXUARAT