Formula 1, Vettel rikthen Ferrarin tek fitorja

Sport

vettelRikthehet Ferrari. Sebastian Vettel thyen dominimin e Mercedes duke fituar Cmimin e Madh të Malajzisë, një triumf i jashtëzakonshëm për skuadrën italiane që nuk shijonte një sukses të tillë prej dy vjetësh e po ashtu edhe për pilotin gjerman, që rikthen në memorjen e tifozëve të kokëkuqes idhullin e tyre të Madh Michael Schumacher.  Për të kuptuar entuziazmin e Vettel mjafton të degjosh komunikimin e tij me skuadrën nëpërmjet radios.

E quajnë Baby-Schumi dhe Vettel që shkoi te Ferrari pikërisht me shpresën për të ndjekur hapat e idhullit të tij me paraqitjen në Malajzi i ka dhënë vërtet ushqim këtij paralelizmi.  Për herë të parë që nga koha e Schumacher u dëgjuan të këndohen njëri pas tjetrit si dikur në epokën e Schumacher himni gjerman dhe ai italian njëri pas tjetrit dhe diçka e tillë duhet të ketë shqetësuar edhe Hamilton dhe Rosberg që kompletuan podin me vendin e dytë dhe të tretë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Fitorja e Vettel dhe Ferrarit në Malajzi merr më tepër vlera pasi arrihet në shtëpinë e Petronas që është sponsor dhe furnizues i Mercedes. Që Ferrari kishte bërë progres kjo ishte kuptuar që në dimër dhe një konfirmim erdhi dhe në Melbourne, por thyerja e dominimit të Mercedes që në garën e dytë sezonale ishte vërtet impresionuese. Sebastian Vettel dhuroi një paraqitje të jashtëzakonshme dhe i mbështetur edhe nga një strategji kurajoze e skuadrës futi në krizë rivalët e Mercedes që në një farë pike duket se u futën në konfuzion në lidhje me zgjedhjen e strategjisë me përdorimin e gomave të mesme dhe atyre të forta. Por në fund kur Hamilton dhe Vettel u rigjendën në pistë në xhiron e 38, me të njëjtat goma, aty Ferrari i habiti të gjithë me forcën e tij, pasi Hamilton kishte një vonesë prej 13''7, kohë e rikuperueshme nëse do të kishte pasur në garë Ferrarin e 2014-ës, por ndodhi krejt e kundërta pasi Kampionit të Botës iu desh të ngrinte flamurin e bardhë.

Ferrari nuk fitonte një garë prej pothuajse dy vjetësh, për herë të fundit kishte triumfuar në Spanjë në 2013, ndërsa për pilotin gjerman suksesi i fundit datonte në Interlagos 2013. Për Mercedes është shqetësues edhe fakti që Rosberg asnjëherë nuk ishte një pretendent i vërtetë për ta fituar garën, ndërkohë që për të demonstruar rendimentin e Ferrarit shërben edhe vendi i katërt për Kimi Raikkonen që realizoi një rikuperim të jashtëzakonshëm duke u nisur nga prapavija.  Në zonën e pikëve hyri edhe Williams me Bottas që u rendit në vendin e 5 duke lënë pas shokun e skuadrës Massa . Dështim total për McLarenin me Fernando Alonson dhe Button që u detyruan të tërhiqen ndërsa në vendin e 7 u rendit i riu Vertsappen që rezultoi piloti më i mirë i grupit Red Bull, aspak keq për një 17 vjeçar. Edhe ai mund të ëndërrojë ashtu si Ferrari që tani ëndërron triumfin në Botëror.ssport

ME TE LEXUARAT