Familja Durda, dëmshpërblehen për jetën e Edisonit që u shua në Gërdec

Aktualitet

zamira-durdaShoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit dhe Qendra Res Publica njofton opinionin publik se padia civile e një prej familjeve të viktimave të shpërthimit të Gërdecit, kundër Ministrisë së Mbrojtjes, është pranuar nga Gjykata Administrative, duke detyruar autoritetet të paguajnë shpërblimin e dëmit.Pas kësaj padie të parë, në gjykim janë edhe paditë e 17 familjeve të tjera, të cilat janë mbështetur në të njëjtët argumenta dhe pritet të kenë të njëjtën përgjigje pozitive nga gjykata.

Vendimi gjyqësor që pranon padinë e Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj është tregues se ata kanë të drejtë, megjithë faktin që Ministria e Mbrojtjes pretendoi se nuk mbante asnjë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar, duke dhënë mesazhin se ish Ministri i Mbrojtjes nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se ka vepruar në mënyrë korrekte.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

E vetmja mënyrë që Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria mund të mbrojnë punën e ish zyrtarëve të saj, tashmë mbetet të jetë bllokimi i padive për shkak të tarifave gjyqësore, të mbajtura padrejtësisht në nivele të larta, të cilat janë në diskrecionin e Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave.

Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj me shumë mundime arritën të merrnin borxh dhe të siguronin 500.000 lekë (të reja), për të paguar tarifën për të nisur këtë proces gjyqësor dhe ia arritën të kenë sot një vendim në dorë, i cili njeh përgjegjësinë e shtetit, megjithë përpjekjet e Ministrisë së Mbrojtjes për t’u shmangur nga kjo përgjegjësi.

Në vazhdim, 17 familjet e tjera janë në një gjendje ekonomike të mjerueshme, dhe plotësisht në pamundësi për të siguruar, qoftë edhe duke marrë borxh, miliona lekë, të cilat Ministri i Drejtësisë dhe ai i Financave u kanë vënë si kusht paraprak. Madje një prej familjeve është detyruar nga këta dy ministra që të paguajë paraprakisht në gjykatë shumën prej 15 milion lekësh, ose përndryshe gjykata ka të drejtë të mos e shqyrtojë fare çështjen. Nëse ata nuk i paguajnë këto shuma brenda javëve në vazhdim, atëherë proceset gjyqësore do të mbyllen për të mos u rihapur më kurrë, duke bërë që shteti të fitojë në mënyrë të padrejtë, përmes kurtheve të ngritura nga vetë zyrat e tij.

ME TE LEXUARAT