De Biasi dhe Cana: Ndaj Armenisë do luajmë për fitore

Sport

biasiiiiNdaj Armenisë duhet një sfidë perfekte për kombëtaren Shqiptare, në mënyrë që të evitohen surprizat e pakëndshme. Ky është mesazhi që trajneri i kuqezinjve Gianni De Biasi jep në konferencën për shtyp një ditë përpara sfidës. Italiani i natyralizuar me pasaportë shqiptare fton të gjithë për qetësi duke vlerësuar kualitetet e kundërshtarit.

"Duhet të bëjmë një ndeshje taktikisht perfekte pa lejuar hapësira për kundërshtarin sepse kanë kualitete në kundërsulm. Ne nuk luajmë për barazim por për fitore. Për të fituar duhet studiuar loja e kundërshtarit, të përgatitemi psikologjikishr dhe të bëjmë detyrat që kemi kryer në stërvitje. Duhet të ruajmë qetësinë dhe të mos na pushtojë entuziazmi. Kundërshtari ynë është i rrezikshëm dhe duhet marrë në konsideratë ndërsa ne duhet të shfrytëzojmë kualitetet tona".

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në një linjë me trajnerin është edhe kapiteni Lorik Cana i cili kujton se skuadra ka gabuar shpeshherë kur i është kërkuar fitorja. Lideri i kuqezinjve evidenton përmirësimin e skuadrës gjatë kësaj kohe duke theksuar se suksesi është objektivi i grupit.

"Skuadra ka më shumë përvojë dhe di të përshtatet me çdo lloj situate gjatë ndeshjes, di të reagojë dhe kjo është pozitive. Do të luajmë për fitore por në fund do të flasë fusha".

Dhimbjet e kokës për trajnerin De Biasi kanë qënë të shumta gjatë javës. Ajeti dhe Aliji janë konfirmuar si mungesa të sigurta, ndërsa gjatë javës mbrojtësi Mavraj ka pësuar një dëmtim që e ka lënë larg grupit. Formacionin e ndeshjes italiani nuk dëshiron ta bëjë publik por ul presionin duke theksuar se kjo sfidë nuk është decizive për kualifikimin në Euro 2016.

"Më vjen keq që Ajeti dhe Aliji nuk do jenë pjesë e skuadrës për arsye burokratike. Ende nuk e dimë nëse Mavraj do të jetë ose jo, përgjigjen do e marrim ditën e ndeshjes. Curri është rikuperuar dhe është gati të zërë vendin në formacion. Kjo nuk është një ndeshje që vendos kualifikimin, pasi kjo vjen në vazhdimësi. Kemi fituar ndeshjen e parë, kemi barazuar të dytën dhe ishim pranë barazimit në ndeshjen e tretë. Do të luajmë sfidën e 4 dhe do të përpiqemi ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme".

Vlerësimi ndaj kundërshtarit nuk mungon edhe nga kapiteni Cana që analizon lojën e zhvilluar nga Armenia në grup, që ka bërë mirë ndaj çdo kundërshtari.

"Armenia ka qënë një kundërshtar i vështirë për skuadrat më të mëdha të grupit dhe nuk ka arsye pse të mos jetë për Shqipërinë".

Në unison trajneri De Biasi dhe kapiteni Cana kanë lëshuar edhe një mesazh për tifozët që duhet të tregohen të duruar me skuadrën për arritjen e rezultatit.

ME TE LEXUARAT