Bashkitë, Rama-Meta ndajnë skemën e zgjedhjeve

Aktualitet

rama metaNuk kemi ende një marrëveshje. Jo për ndarjen e zonave, sepse nuk ekziston ky koncept, por për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar bashkie”. Kështu do të deklaronte Ilir Meta, i pyetur paraditen e së hënës për ndarjen e bashkive, se ku do të kandidojnë kandidatët e koalicionit qeverisës. Pavarësisht se kreu i LSI-së Meta e vë theksin e deklarimeve te gjetja e kandidatëve të përshtatshëm, duke pohuar se nuk ka ende një marrëveshje për zonat, Top Channel ka mësuar nga grupi negociator se LSI dhe PS janë drejt mbërritjes së dakordësisë, nga ku LSI-ja do të ketë kandidatët e saj në 15 bashki, tre prej të cilave të nivelit të parë: Kukësi, Berati dhe Lezha. Ndërsa si bashki të nivelit të dytë, LSI ka zgjedhur për të garuar në Pogradec, Skrapar, Patos, Selenicë, Memaliaj, Pukë, Bulqizë, Vorë, Krujë, Cërrik, Përrenjas ose Librazhd. Për momentin mbetet e paqartë se kujt prej dy aleatëve do t’i shkojë Lushnja. Partia Socialiste, nga ana e saj, mban 9 bashki të nivelit të parë dhe, së bashku me bashkitë e tjera, do të ketë kandidatët e saj në 46 bashki gjithsej. Siç pritej, socialistët do të kenë kandidatin e tyre në Tiranë, bashkinë më të madhe të vendit. Nga veriu në jug, PS do të garojë me njerëzit e saj në Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë e Gjirokastër. Ndërsa si bashki të kategorisë së dytë, ku PS do të ketë kandidatët e saj janë: Malësia e Madhe, Hasi, Tropoja, Fushë-Arrëzi, Vau i Dejës, Mirdita, Dibra, Mati, Kurbini, Klosi, Shijaku, Kamza, Kavaja, Rrogozhina, Peqini, Belshi, Divjaka, Kuçova, Ura Vajgurore, Roskoveci, Poliçani, Gramshi, Maliqi, Devolli, Himara, Tepelena, Këlcyra, Përmeti, Kolonja, Libohova, Dropulli, Delvina, Livadhja, Konispoli. Krahas kësaj ndarjeje, që tashmë ka marrë formë pothuajse të plotë, ka nisur dhe po dakordësohet edhe ajo e kandidatëve për secilën bashki, ku pas largimit vullnetar në disa raste, apo moskandidimit të kryetarëve të vjetër në raste të tjera për shumë arsye, interesante do të jetë të shihet se cilët do të jenë kandidatët në Bashkitë e mëdha, duke nisur nga Tirana.

ME TE LEXUARAT