Zgjedhjet vendore, nisin të përfliten emrat e parë

Politikë

rama-meta1-300x178Gjithnjë e më shumë nga e majta flitet se dy liderët e saj kanë rënë dakord që në Bashkinë e Fierit dhe në atë të Pogradecit të kandidojnë emra të përzgjedhur nga LSI, ndërsa në Shkodër pritet të kandidohet një femër e propozuar nga Partia Socialiste.

Me largimin e Shpëtim Gjikës nga Vlora, PS e ka të hapur rrugën për të kandiduar një figurë të re, e cila përflitet se për herë të parë do të jetë një femër. Pas dorëheqjes së Artan Shkëmbit nga kreu i bashkisë së Pogradecit dhe vendimit për të mos rikandiduar, duket se tashmë është rruga e hapur për kandidatin e së majtës, i cili pritet të jetë nga radhët e LSI-së.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Emri më i lakuar këto ditë për të garuar në Pogradec është ai i Roshi Tollozhanit, aktualisht kryetar komune dhe që mbështetet nga LSI, ndërsa në Fier është propozuar Robert Bitri, deputet i LSI, por që më parë ka mbajtur detyrën e Prefektit të Fierit. Pak ditë më parë Meta njoftoi këto takime me kryeministrin Edi Rama, duke u shprehur se do të shkëmbehen mendime për ndërtimin e procesit që do të synojë cilësinë e kandidatëve dhe jo kënaqjen e oreksit të njërës apo tjetrës parti, apo edhe të kandidatëve. Por Lushnja do të mbetet e PS-së.

Kryetari Bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe pritet që të rikandidojë për mandatin e dytë. Në Kukës pritet që të jetë sërish i njëjti kryetar Bashkie, Hasan Halilaj.

Pas një eksperience të suksesshme në Kukës si Prefekt, Safer Gjici pritet që të kandidojë në një nga betejat më të ashpra për bashkitë, siç është ajo e Kamzës. Burime nga e majta flasin se për shkak të zonës ku ka shumë të ardhur nga Kukësi, është menduar që e majta të maksimalizojë votat e saj duke kandiduar Gjicin. Edhe Lezha do të jetë sërish e LSI-së. Prej dy mandatesh në këtë zonë ka fituar Viktor Tushe, por që duket se ka hequr dorë nga rikandidimi. Kujtojmë se edhe për Tushen nisën hetimet.

Në qarkun e Korçës pritet që të rikandidojë Kryetari aktual, Sotiraq Filo, i cili zëvendësoi në këtë detyrë Niko Peleshin.

Në Kavajë është më se i sigurt rikandidimi i Roshit, madje është ndër të vetmit që ka marrë edhe falënderime për punën e kryer nga Edi Rama.

Edhe pse është e sigurt që Elbasani, Durrësi, Pogradeci do të vijojnë të drejtohen nga Partia Socialiste, rikandidimi i kryetarëve aktualë duket i vështirë. Ndonëse nuk ka asnjë rregull të shkruar gjer më tani, pritet që asnjë kryetar aktual të mos rikandidojë për një mandat të tretë.

Burime jo zyrtare bëjnë të ditur se kërkesa për dorëheqje i ka shkuar kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, kryebashkiakut të Beratit, Fadil Nasufi, kryebashkiakut të Fierit Baftjar Zeqo dhe kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Bime.

Dorëheqja e Artan Shkëmbit nga Bashkia e Pogradecit ishte dhe sinjali i parë i fillimit të zbatimit të marrëveshjes politike PS-LSI për zgjedhjet vendore. Edhe kandidatët e Sarandës dhe të Himarës nuk priten që të ndryshojnë.

Ndërsa Bashkia e Pukës pritet që t’i lihet e lirë PDK-së së drejtuar nga Mark Frroku, i cili tregoi se dhe në zgjedhjet e 23 qershorit arriti të merrte një numër të konsiderueshëm votash.

 

ME TE LEXUARAT