Nishani: Nderim për ata që kontribuan për lirinë e demokratizimin e shqiptarëve

Politikë

nishaniPresidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani me rastin e përvjetorit të 7-të të pavarësisë së Kosovës, organizoi sot një ceremoni për të dekoruar figura të shquara që kontribuan në pavarësinë e saj.

Në ceremoninë e dekorimit merrnin pjesë personalitete të larta të vendit, ish- presidentë, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, deputetë të Kuvendit, ministra dhe përfaqësues të botës intelektuale dhe akademike.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Historia botërore, veçmas historia evropiane kanë dëshmuar se popujt e vegjël kanë kaluar nëpër portat e tragjedive të mëdha. Ky vlerësim i përgjigjet dhe historisë së popullit shqiptarë, që si rrallë ndonjë popull është ballafaquar me robërin e rëndë dhe ju desh të kalojë rrugë të gjatë e me sakrifica të jashtëzakonshme për mbijetesë. Kështu flasin faktet historike nga lashtësia ilire dhe deri në ditët e sotme”, u shpreh Presidenti Nishani.

Po ashtu, ai vlerësoi si të artë epokën e Skënderbeut  dhe qëndresën shqiptare që iu dha krenari dhe vetëbesim për të shkruar udhën e lirisë, e cila ishte e gjatë dhe me sakrifica të mëdha. “Sot Kosova shënon 7 vjetorin e pavarësisë dhe ne kujtojmë me krenari qëndresën heroike të Adem Jasharit me një qëndresë legjendare unike në historinë botërore, si nga forma dhe nga përmbajtja. Një emër i madh i kontributit për Kosovën është dhe Ibrahim Rugova, i cili i imponoi botës idenë e mposhtjes të robërisë duke u përcaktuar për luftën paqsore për çlirim me porosinë për mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe koha tregoi se ishte çelësi efikas i arritjes së fitores”, tha Nishani.

Presidenti vlerësoi lartë kontribuesit dhe heronjtë e tjerë të luftës si komandanti Agim Ramadani, Tahir Bajaziti, Luan Haradinaj, Smal Haradinaj, veprimtarët Uk Bytici, Ismet Raci, intelektualët Latif Berisha, Enver Maloku dhe Indrit Cara që u flijua për çlirimin e Kosovës. Për çlirimin e Kosovës u flijuan bijtë më të mirë dhe ata do të jenë në kujtesën tonë historike, duke edukuar brezat e ardhshëm për jetësimin e tyre sot dhe nesër.

“Kjo ceremoni e sotme dekorimi le të jetë një shenjë nderimi për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për liri, demokraci, të drejta dhe prosporitet të kombit. Kjo ceremoni le të jetë dhe mesazhi ynë për të gjithë shqiptarët, që ne i vlerësojmë e i respektojmë, ata që luftuan për ditë më të mira të kombit tonë si dhe aleatët tanë që iu bashkuan në këto sakrifica, kombit dhe përpjekjeve shqiptare. Zoti i bekoftë të gjithë ata burra e gra që kontribuan për lirinë, zhvillimin dhe demokratizimin e shqiptarve”, u shpreh Nishani.

ME TE LEXUARAT