Ligj i ri ‘Për lojërat e fatit”, ndryshojnë rregullat

Aktualitet

lojeraNdryshojnë rregullat ligjorë ‘Për lojërat e fatit’ në Republikën e Shqipërisë. Qeveria ka depozituar së fundi në parlament një ligj të ri për funksionimin e lojërave të fatit, ku mes të tjerash përcaktohet zhvendosja e kazinove drejt zonave turistike.

Pr/ligji, që do të nisë nga shqyrtimi në komisionet e përhershme javën e ardhshme, synon të rrisë atraksionin për turistët të këtij aktiviteti, ndërsa ndalon ushtrimin e tyre pranë institucioneve fetare, atyre të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë.

Sipas draftit, distanca mes këtyre institucioneve dhe lojërave të fatit nuk mund të jetë më pak se 200 metra në vijë ajrore, në të gjitha drejtimet. Për çdo aktivitet që nuk e zbaton këtë distancë do të ketë masa administrative deri në heqje të licencës.

Pr/ligji parashikon një skemë taksimi jo fikse, siç ishte deri tani, për çdo sallë/ NIPT sekondar/makinë elektronike, por mbi bazën e fitimit. Gjithashtu, drafti parashikon shtimin e kritereve për subjektet që duan të aplikojnë rishtas për një licencë, duke u shoqëruar dhe me tarifa për dhënie licence e numër të kufizuar pikash.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ndryshimet e bëra garantojnë gjithashtu shlyerjen e detyrimeve ndaj institucioneve shtetërore nëpërmjet një garancie bankare në një kohë që përcaktohen dhe kufizime të qarta për zhvillimin e këtij aktiviteti. Një risi e projektligjit është ngritja e Sistemit Qendror të Monitorimit On-line të subjekteve të lojërave të fatit.

Sipas projektligjit lojërat e fatit, të cilat mund të zhvillohen në Shqipëri janë bastet sportive; bastet për gara në pistë; kazinotë e vendosura në hotele me 5 yje; lojërat elektronike në distancë; resort kazinotë; Lotaria Kombëtare, si edhe bingot televizive.

Në këto aktivitete mund të punësohen dhe të luajnë vetëm persona mbi 21 vjeç, në një kohë që çdo lojtar duhet të regjistrohet nga organizatorët e lojërave të fatit.

ME TE LEXUARAT