Koka prezanton projektin e shërbimeve mjedisore

Aktualitet

kokU prezantua sot Projekti i Shërbimeve Mjedisore, i mbështetur nga Ministria e Mjedisit, Banka Botërore, programi SIDA i Qeverisë Suedeze dhe GEF. I pranishëm në prezantimin e këtij projekti Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka pasi falenderoi maksimalisht për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë nga donatorët theksoi se “Sektori i mjedisit dhe pyjeve në Shqipëri ndodhet në një situatë të rëndë për shkak të dëmit që i është bërë mjedisit ndër vite.  Ky projekt sjell risi në sektorin e pyjeve dhe në shërbimet mjedisore. Dhe gjithashtu përgatitet një terren i gatshëm për fondet që pritet në vijnë nga Komiteti Europian në fushën e Bujqësisë dhe Mjedisit”.

Projekti prej 23 milionë dollarësh konsiston në Regjistrimin e Pyjeve dhe Kullotave duke siguruar atë që mund të konsiderohet si “Çertifikata e Pronësisë” për pyjet dhe kullotat.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Në 2 vitet e para të projektit do të kemi në dorë kadastrën elektronike të pyjeve dhe kullotave.  Pas këtyre 2 viteve dhe në vazhdim më në fund do të mundemi të flasim me shifra konkrete dhe reale, sesa sipërfaqe pyjesh kemi, ku janë, si është gjendja e tyre, duke i dhënë kështu fund amullisë dhe abuzimit me të dhënat e sipërfaqeve pyjore dhe kullotave”- tha ministri Koka, i cili shtoi se mbi këtë informacion të saktë do të vazhdohet me rigjenerimin e pyjeve shqiptare atje ku është më e domosdoshme.

Pjesë e projektit është edhe prezantimi i Pagesave për Shërbimet Mjedisore; krijimi i skemave të qarta financuese për uljen e degradimit të tokës dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm, si  një koncept dhe praktikë e shërbimeve mjedisore që aplikohet në shumë vende të zhvilluara dhe veçanërisht atyre të BE-së.

Për fermerët dhe shoqatat Komunale te Përdorimit të Pyjeve dhe të Kullotave do të ndërtohen miniprojekte të fokusuara vetëm në agromjedis. Ky proces do të arrihet duke punuar shumë ngushtë me Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR).

Një pjesë e investimit do të shkojë  në përgatitjen e fermerëve për të aplikuar për projektet që priten të vijnë nga Komiteti Europian në fushën e Mjedisit dhe Bujqësisë. Falë këtij projekti do të arrihet forcimi i kapaciteteve të stafit të Drejtorive Rajonale të Shërbimit Pyjeve, Seksionit të Drejtorisë së Pyjeve në Rreth, AZHBR-së dhe organeve të tjera të përfshira në shërbime bujqësore dhe zgjerimit të pyjeve.

Në përfundim të fjalës së tij Ministri i Mjedisit theksoi se sektori i pyjeve është më i prekuri nga masakra që njeriu i ka bërë natyrës. Për këtë arsye Ministria e Mjedisit ka fokusuar punën e saj në mbjelljen e fidanëve brenda mundësisë së buxhetit të qeverisë dhe donatorëve të huaj.

“Por puna jonë ka konstituar edhe në reformën ligjore për pyjet. Shumë shpejt do të diskutohet me grupet e interesit Ligji i Ri i Pyjeve i cili jo vetëm shërben për të reformuar gjendjen e pyjeve në vend, por përmbush edhe një nga kërkesat e BE-së. Ky projekt që po diskutojmë sot do të reformojë tërësisht sektorin e pyjeve dhe mjedisin në tërësi.”- përfundoi fjalën e tij Ministri Koka.

Të pranishën në prezantimin e projektit ishin Ministri i Bujqësisë z. Edmond Panariti, Kreu i Hipotekës, z. Ilirjan Muho dhe përfaqësues të Bankës Botërore dhe Programit SIDA të Qeverisë Suedeze.

ME TE LEXUARAT