Tahiri takon Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar

Kosovë&Rajon

edityMinistrja për Dialogun Edita Tahiri, ka pritur sot Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, të cilin e ka falënderuar  për përkrahjen e Bashkimit Evropian për shtetin e Kosovës në avancimin e agjendës për integrimit evropian të Kosovës përmes Marrëveshjes  Stabilizim Asocim,  si dhe zhvillimit të gjithmbarshëm dhe lehtësimit të dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Ministrja Tahiri e ka njohur z. Zhbogar me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se do të jemi të përkushtuar për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe punësim, sundimin e ligjit dhe shteti ligjor, si dhe thellimin e reformave evropiane dhe euro-atlantike në të gjitha fushat. Ajo potencoi se Kosova mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal dhe, në këtë kuadër do të vazhdojë angazhimet konstruktive në Dialogun e Brukselit duke vlerësuar se ky dialog kontribuon për paqe dhe stabilitet në rajon dhe është bërë një model pozitiv për rajonin e më gjerë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Nga ana e tij, z. Zhbogar shprehu urimet e sinqerta për përzgjedhjen e zonjës Tahiri si ministre e ngarkuar për procesin e dialogut, duke thënë se BE-ja ka mirëpritur konstituimin e Qeverisë së re. Ai vlerësoi lartë angazhim e ministres Tahiri në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, me ç ‘rast tha se janë shënuar rezultate të konsiderueshme në këto katër vite. Z.Zhbogar tha se edhe periudha e ardhshme do të jetë poashtu e rëndësishme për arritjen dhe konsolidimin e progresit të mëtejmë. Në mesin e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës z.Zhbogar vlerësoi angazhimet për jetësimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, reformat në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, në administratën publike, vazhdimin e progresit në liberalizimin e vizave dhe progresi në dialog. Ai theksoi se bashkëpunimi i ndërsjellë, si gjithnjë do të ketë për qëllim progresin e mëtejmë, stabilitetin dhe prosperitetin për popullin e Kosovës.

ME TE LEXUARAT