Ristani: Qeveria e Ramës ofron lehtësi dhe burime njerëzore për bandat

Politikë

 

ristaniSekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani, denoncoi përfshirjen sipas tij fizike të oficerit të policisë në ngjarjen e mbrëmshme, si mbështetje që Ministri i Brendshëm jep për grupin kriminal. “Qeveria e Ramës ofron lehtësi por dhe burime njerëzore për bandat. Pasiguria arrin kulmin, qeveria mban të fshehta detajet dhe keqinformon publikun.  Vetëm pak orë pasi Ministri i Brendshëm mbylli shfaqjen propagandistike të sukseseve të rendit dhe sigurisë, erdhi përgënjeshtrimi nga një përplasje e përgjakshme bandash të armatosura në zemër të Kryeqytetit”, u shpreh Ristani.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

 

Sipas tij, ngjarja e mbrëmshme që ka tronditur qytetarët e Tiranës, e nxori lakuriq Kryeministrin dhe Ministrin e tij të rendit, pas mburrjes së tyre me shifra kot, me statistika të sajuara, që nuk i hyjnë në punë askujt.

 

“Ramën dhe Tahirin nuk i beson më njeri, sidomos për rendin dhe sigurinë, pasi qytetarët po shohin çdo ditë se krimi sa vjen e rritet, rendi sa vjen e bie, pasiguria për jetën e për pronën sa vjen e shtohet.

Dihet botërisht se banda e përplasjes së përgjakshme, ka lidhje me qeverinë. Por përfshirja fizike në këtë histori e një efektivi të policisë, është një fakt i rëndë, kompromentues, që bën përgjegjës drejtpërdrejt Saimir Tahirin, që bën përgjegjës shefin e Tahirit, Edi Ramën. Efektivi policor, pjesë e kësaj përplasjeje bandash, është aty me dijeninë dhe miratimin e Ministrit, është aty për të shërbyer favoret politike”, nënvizoi Ristani.

 

Ai insistoi se Partia Demokratike e denoncon këtë ngjarje të rëndë, që dëshmon se Kryeministri dhe Ministri i tij ofrojnë mbrojtje, ofrojnë siguri, dhe garanci policore për bandat.

 

“Kjo ngjarje tregon se banda ka jo vetëm lidhje të drejtpërdrejta me qeverinë gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj kriminal, por ka drejtpërdrejt mbështetjen e qeverisë me burime njerëzore. Kjo është mënyra, kjo është skema, me dhënien e lehtësive dhe me ofrimin e oficerëve në detyrë për të shërbyer për bandat. Nuk ka mënyrë tjetër. Qytetarët e vendit janë braktisur nga policia. Vrasjet, vjedhjet, grabitjet, aksidentet janë shtuar. Policia është hedhur në fushata e aksione ku godet të pamundurit dhe pronat e tyre. Ndërkohë, me pëlqimin e Ministrit, dhe me dijeninë e Kryeministrit, ofrohet siguri për bandat kriminale”, u shpreh Ristani.

 

Kjo, vijoi ai, ndodh vetëm në shtetet e dështuara ku oligarkitë sunduese, sundojnë si banda dhe me bandat. “Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë përgjegjësi. Dhe do të mbajnë përgjegjësi. Partia Demokratike denoncon përpjekjen e qeverisë për të keqinformuar dhe mosinformuar publikun për detajet e ngjarjes së mbrëmshme kriminale që nxjerr zbuluar lidhjet kriminale të Ministrit të Brendshëm dhe vetë Kryeministrit. Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të veprojë me profesionalizëm dhe të ofrojë transparencën më të plotë sipas ligjit  për këtë episod të errët të lidhjes së mafias me qeverinë. Asgjë nuk mund t’i fshihet apo deformohet publikut. E vërteta e plotë dhe tronditëse që fshihet si ajsberg poshtë ngjarjes së mbrëmshme duhet të dalë në dritë. Dhe do të dalë”, deklaroi Ristani.

ME TE LEXUARAT