Prishtinë, një protestë për dy çështje

Kosovë&Rajon

proteste-350x155Një protestë për dy çështje të ndryshme, me thirrjet “Jabllanoviç jashtë!” dhe “Trepça është e jona!” zhvillohet sot në Prishtinë, me mbështetje nga opozita e organizime ardhjesh edhe nga qytete tjera të Kosovës. Drejt kryeqytetit, ku protesta fillon në orën 14:00, janë nisur grupet e organizuara të protestuesve nga qytete të ndryshme kosovare, në disa prej të cilave edhe është protestuar ditëve të kaluara.

Protesta është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet me 16 deputetë, dhe Shoqata “Thirrjet e Nënave” e familjeve të viktimave e të zhdukurve të luftës, “si reagim ndaj deklaratave të ministrit serb në qeverinë e Kosovës Aleksandar Jabllanoviç, i cili protestueset shqiptare në Gjakovë i ka quajtur ‘egërsira’” dhe pas zhvillimeve rreth Trepçës kur “qeveria që vetë e sponsorizoi Ligjin dhe thirri seancën e jashtëzakonshme, e tërhoqi të njëjtin Ligj për ta rikthyer në Kuvend me ndryshime thelbësore”.

Organzatorët theksojnë “gjithëpërfshirjen e mbështetjes që i është bërë protestës së të shtunës me kërkesa shkarkimin e ministrit Jabllanoviç dhe që Trepça të jetë ndërmarrje publike”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, në “koha për deklarime jashtë rendit të ditës” kishte opinione të ndryshme të deputetëve për aktualitetin, ndërkohë që krahas VV-së si organizatore protestën e sotme e mbështetë dhe me paralajmërim pjesëmarrje edhe pjesa tjetër e opozitës – AAK e cila ka 11 deputetë dhe Nisma me 6 deputetë, duke shprehur “shqetësim për zhvillimet e fundit në vend”.

Instituti Demokratik i Kosovës, pjesë organizatave joqeveritare, i ka dhënë “përkrahje protestës për shprehjen e vullnetit qytetar” dhe ka bërë “thirrje që protestat qytetare të jenë të qeta, ndërsa partitë opozitare të adresojnë vullnetin e protestuesve në Parlament dhe institucione qeveritare”.

Ndërkohë, Policia e Kosovës bëri të ditur se me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e paparalajmëruar siç parashihet me ligjin mbi tubimet publike, e cila pritet të mbahet sot në orën 14:00, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e saj. Policia ka shtuar masat e sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës.

ME TE LEXUARAT