Letër e krerëve fetarë amerikanë për Obamën: Paqe në Lindjen e Mesme

Bota

obama-sulmiQuhet “Nili” e do të thotë “Nisma kombëtare ndërfetare për paqen në Lindjen e Mesme”. Bëjnë pjesë në të krerët fetarë të krishterë, hebrenj e myslimanë të SHBA-ve. Kisha Katolike, në veçanti, përfaqësohet nga kryetari i Komisionit ipeshkvnor për Drejtësinë e Paqen ndërkombëtare, imzot Oscar Cantù dhe nga kryeipeshkvi i nderit i Uashingtonit, kardinali Theodore McCarrick. Janë ata, që nënshkruan, së bashku me 11 eksponentë të krishterë, 11 hebrenj, e 9 myslimanë, një letër të hapur për kreun e Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama. Në qendër të letrës, kërkesa për përpjekje më të mëdha e më të vendosura të SHBA-ve në favor të zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez. Liderët fetarë kërkojnë që të arrihet marrëveshja, para se të jetë vonë.

“Nuk ka zgjidhje ushtarake për një konflikt të tillë”, thuhet në letër. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, ka rrezik që aksionet e njëanshme dhe dhuna e mëtejshme të sjellin një luftë tjetër”. Ndeshjet e fundit në Jeruzalem tregojnë se thirrjet për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, të vetme, nuk mjaftojnë. Prandaj, nënshkruesit e letrës theksojnë se marrëveshja e paqes për njohjen e ndërsjellë të dy shteteve do të pranohej nga shumica e izraelitëve dhe e palestinezëve, nëse do të paraqitej nga liderët përkatës si e vetmja alternativë në krahasim me luftrat e dhunën e mëtejshme.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas krerëve fetarë të të tria feve, nevojiten ide praktike e të arsyeshme për zgjidhjen e problemeve, që kanë të bëjnë me kufijtë, sigurinë, ngulimet hebraike, refigjatët dhe me të ardhmen e Jeruzalemit. Ata i bëjnë thirrje presidentit amerikan të autorizojë Sekretarin e Shtetit, John Kerry për t’u paraqitur autoriteteve izraelite dhe palestineze një kuadër të ekuilibruar e të plotë, që të shërbejë si bazë për bisedimet mbi fundin e konfliktit dhe arritjen e marrëveshjes për dy shtete të pavarura.

Natyrisht, përfundojnë nënshkruesit, kjo nismë për paqen ka nevojë të mbështetet fuqimisht e publikisht, sidomos nga bashkësitë fetare, prandaj, eksponentët e krishterë, hebrenj dhe myslimanë “impenjohen të mobilizojnë kishat, sinagogat dhe xhamitë në SHBA-të”, duke u vënë në dispozion edhe të një takimi me Kerry-n, për të diskutuar veçoritë me të cilat krerët fetarë mund të japin ndihmesën e tyre.

ME TE LEXUARAT