Gjuriq: Serbia vazhdon betejën kundër pavarësisë së Kosovës

Kliko per me shume info

gjuriqDrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se Serbia do të vazhdojë betejën e saj me të gjitha mjetet që shteti ka në dispozicion kundër shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës.

Kjo betejë nuk e pengon administratën në Beograd, por as serbët në Kosovë, që të bisedojnë me shqiptarët e Kosovës dhe të imlementojnë marrëveshjet e arritura, ka thënë Gjuriq për TV Most nga Zveqani.

Kliko per me shume info

Sipas tij, Qeveria e Serbisë dhe serbët e Kosovës janë kampionë të betejës për normalizim, tolerancë, stabilitet dhe respektim të të gjitha marrëveshjeve në Kosovë, ndërsa këtë e kanë dëshmuar mes tjerash me implementimin e gjithë asaj që buron nga procesi i Brukselit, si dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

“Kritikat për ngecje në këto marrëdhënie nuk duhet asesi të drejtohen nga Beogradi, ngase serbët e Kosovës dhe Beogradi kanë dëshmuar se janë në gjendje të bëjnë kompromise nganjëherë edhe të dhimbshme, vetëm për të ardhmen e të gjithëve”, sqaroi Gjuriq.

Ai tha se Beogradi dëshiron që në periudhën e ardhme të ndihmojë që serbët vetë të udhëheqin me punët e tyre në kuptimin politik, ndërkaq Qeveria e Serbisë, njëjtë sikurse deri tani, do të ofrojë gjithë mbështetjen logjistike, administrative dhe këshilluese.

“Tani për herë të parë kemi njerëz në qeverinë krahinore të cilët qartë qëndrojnë prapa qëndrimeve se janë ministra të krahinës dhe nuk fshehin se rreth hapave të tyre konsultohen me neve në Beograd dhe të gjithë akterët tjerë relevant. Mbase shumë do të varet nga kualiteti i punës së tyre sa do të arrimë të shfrytëzojmë shansin i cili na është ofruar”, theksoi Gjuriq.

Javët në vijim, shtoi ai, do të ketë shumë bisedime rreth taktikës dhe mënyrës së zgjidhjes së problemeve të cilat nga perspektiva e Beogradit dhe bashkësia serbe në Kosovë janë të rëndësishme.

Ai precizoi se përveç formimit të Bashkësisë së Komunave serbe, janë edhe çështjet e pasurisë private, shtetërore dhe shoqërore, si dhe çështjet me rëndësi për kishën ortodokse serbe.

“Duam që të zgjidhet edhe çështja e të pagjeturve, si dhe çështja e të shpërngulurve për të cilat nuk është punuar sa duhet. Lista e temave për bisedime është e gjatë, ndërsa ekzistojnë edhe çështjet për të cilat është biseduar kur është fjala për marrëveshjen e koalicionit që nuk ka hyrë në pjesën e shkruar të tekstit, por për të cilën është arritur marrëveshja të jetë pjesë e bisedimeve në Bruksel”, tha ai.

Sipas tij, në periudhën e ardhme, formimi i Bashkësisë së Komunave serbe do të jetë parakushti kryesor për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe serbëve dhe liderëve shqiptarë të Kosovës, por edhe të të gjithë atyre që dëshirojnë stabilitetin.

Gjuriq ka përmendur edhe problemet tjera të bashkësisë serbe në Kosovë, siç janë funksionimi i gjyqësisë, zhvillimi ekonomik, ritmi i pakënaqshëm deri tani i personave të shpërngulur etj.

Procesin kundër Oliver Ivanoviqit, Gjuriq e ka përshkruar si tregues të sistemit akoma të brishtë të institucioneve në Kosovë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.