Bregu i Liqenit të Ohrit, Rama: Në qershor shëtitore 17.3 km

Politikë

ramaNjë shëtitore 17.3 kilometra bregut të liqenit të Ohrit, e gjelbëruar në të dyja anët e saj dhe një korsi për lëvizjen me biçikletë dhe një rrugë do të jetë së shpejti, pamja e re e hyrjes në Pogradec.

Përgjatë segmentit Lin-Pogradec po zbatohen projektet për rindërtimin e rrugës dhe rehabilitimin e gjelbërimit e bregut të liqenit të Ohrit, të financuara nga qeveria.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Punimet që po kryhen në këtë segment, që synohet të bëhet i shfrytëzueshëm për sezonin turistik, u inspektuan nga kryeministri Rama, shoqëruar nga numri dy i qeverisë dhe kryebashkiaku i Pogradecit.

Kryeministri theksoi se ndërhyrjet do ta kthejnë bregun e liqenit të Ohrit në një nga asetet e çmuara turistike, ku do të ketë dhe korsi bicikletash, dhe vend ku fëmijët të luajnë.

"Objektivi është që kur të fillojë sezoni të jemi në kushte të tjera komplet, të jetë gjithçka e kalueshme dhe brenda vitit, ne ta kemi kryer totalisht si projekt, jo vetëm rrugën, por gjithë parkun, e rikthyer pas 30 vitesh siç nuk ka qenë para 30 vjetësh, me një rehabilitim që e bën praktikisht një nga zonat më të bukura turistike të rajonit dhe pa diskutim e kthen si zonë turistike me vlera të posaçme nga pikëpamja ekologjike, nga pikëpamja e peisazhit, e natyrës dhe patjetër, edhe nga pikëpamja e lëvizjes. Gjithë zona e atyre ndërtimeve pa leje dhe asaj barbarie dhe kafshërie që u vu në jetë 20 vjet, me zhvillime të papërgjegjshme, kthehet në një park të madh për qytetarët dhe në një aset të madh për gjithë turistët që mund të lëvizin, mund të shëtisin, mund të vrapojnë, mund të kenë vend fëmijët për të luajtur. 17 kilometra park dhe me korsi biçikletash”, tha Rama.

Më pas Rama iu bashkua ministrit të Brendshëm Tahiri, në përurimin e Zyrave të Shërbimit unik në qytetin e Pogradecit.

ME TE LEXUARAT