Viti i Ri, Nishani uron paqe e dashuri, dhe “dialog në Parlament”

Kliko per me shume info

nishani-urimTë dashur qytetarë të vendit tim, bashkëkombas, brenda dhe jashtë Shqipërisë!

Motra e vëllezër!

Kliko per me shume info

Nata tradicionale e urimeve më të përzemërta sonte na bashkon të gjithëve!

Po troket Viti i Ri dhe në cilësinë e Presidentit të Republikës, për të tretën herë,  kam privilegjin e nderin t’ju përcjell urimet e mia më të ndjera, më të sinqerta për një Vit të Ri sa më afër aspiratave tuaja!

Gëzuar të gjithëve!
Gëzuar çdo qytetari shqiptar brenda dhe jashtë vendit!
Gëzuar çdo bashkëkombasi!
Gëzuar çdokujt që sonte është mik në tokën shqiptare, prania juaj na e stolis këtë natë!
Gëzuar gjithë trupit diplomatik që shërben në Shqipëri!

Paçi gjithmonë dashuri, lumturi, harmoni e shëndet në jetën tuaj: është urimi im në këtë vigjilje të ndërrimit të viteve të dashur miq.

Magjia e kësaj feste ndihet më fort tek fëmijët të cilët me ëndrrat, dëshirat e tyre plazmojnë standardet e së nesërmes, ndaj u shpreh atyre urimet më të dashura që jeta e tyre të jetë sa më e begatë.

Një shoqëri që rrit mirë fëmijët e saj përcakton që në atë moment të ardhmen e vet.

Vëllezër e motra,

Vendi ynë, ka ende shumë njerëz që për arsye të ndryshme gjenden në vështirësi shpirtërore e materiale; ndaj më shumë se kurrë, sonte, jam pranë tyre e solidar me ta!

Të moshuarve, prindërve që sonte nuk i kanë pranë bijtë e tyre, fëmijëve jetim, personave me aftësi të kufizuar, atyre që këtë natë e kalojnë në spitale, të papunëve, ju uroj një vit më të mirë duke thirrur vëmendjen e institucioneve që të jetë vërtetë i tillë.

Impenjimi i të gjithëve mund t’i zvogëlojë problemet dhe mund të rrisë zgjidhjet duke shtuar sigurinë dhe mirëqenien.

Zhvillimet tona na kanë mësuar tashmë që këtë natë ta kalojmë me telefonin pranë, me skype apo facebook, sepse shumë nga familjarët tanë e festojnë këtë natë të bukur në vende të ndryshme të botës, ku jetojnë, punojnë dhe studiojnë me dinjitet e sakrifica prej vitesh.

Ne u themi atyre Shqipëria ju pret dhe ju uron nga zemra një Vit të Ri të  lumtur. Ne jemi një e të pandarë!

Si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, një urim të veçantë e kam për të gjithë ushtarakët tanë dhe familjet e tyre. Nga mot Gëzuar!

Me kontributin e tyre përkrah aleatëve, atje ku sfidat dhe vështirësitë janë të shumta po dëshmojnë se janë rojtarë të denjë të paqes, lirisë dhe sigurisë, anëtarë seriozë të NATO-s, por edhe një forcë me kontribut të vyer në çështje të mbrojtjes civile brenda vendit!

Urimit të këtij çasti të bukur i shtoj edhe mirënjohjen time për të gjithë ata që sonte janë në punë, kam parasysh forcat e rendit, personelin mjekësor, punonjësit e institucioneve të ndryshme, gazetarët në terren e shumë të tjerë. Ju faleminderit për sakrificën tuaj!

Vëllezër e motra,

Viti 2014 ishte një vit domethënës për vendin tonë, por ajo që spikat më shumë është marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Vëmendjes së Evropës ndaj Shqipërisë, e cila kurrë nuk ka qenë kaq e madhe përgjatë historisë, i përgjigjet dëshira e shqiptarëve për t’u integruar aty, por e tillë dhe me standardet demokratike duhet të jetë edhe sjellja e politikës shqiptare.

Uroj që gjatë këtij viti të rikthehet dialogu i munguar duke rikthyer filozofinë e bashkëpunimit dhe jo të përjashtimit, duke bërë që parlamenti të shndërrohet në zërin e të gjithëve e jo vetëm të një pjese, nga i cili të miratohen reforma themelore, të vërteta, moderne e afatgjata, produkt i vullnetit të përbashkët.

Gëzuar dhe një vit të suksesshëm për politikanët dhe politikën shqiptare, vendimmarrja e të cilëve na përket e prek të gjithë.

Ngjarje e një rëndësie historike për ne ishte vizita e Papa Françeskut në shtatorin e këtij viti që po lëmë pas.

Afria dhe mesazhet e Tij për Shqipërinë, konsideratat për harmoninë, paqen, dashurinë e shquajnë kuptimin e tyre këtë natë të bekuar më shumë se çdo herë duke na dhënë shpresë e optimizëm për të ardhmen, solidaritet si shtet e komb në udhëtimin tonë integrues drejt atdheut të përbashkët, Evropës.

Të dashur vëllezër e motra,

Të gjithë ne duhet të bashkojmë vullnetet, të shtojmë energjitë dhe përcaktojmë dëshirat tona më të spikatura, për një Vit të Ri më të mirë e të suksesshëm.

E kemi mundësinë, nuk mungon inteligjenca dhe virtytet për të ndërtuar një shoqëri më demokratike, me kohezion më të madh politik e social, në paqe e harmoni siç e kemi traditë, për sot e nesër, për fëmijët tanë, për vete dhe brezat duke synuar dhe projektuar me vetëdije vendin tonë në bashkësinë e familjes evropiane.

Së bashku me familjen time, ju urojmë Gëzuar!

Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët!

Kliko per me shume info
SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here