July 30, 2014

amc-spring980x100px

Beci: Lista e barnave të rimbursueshme, mbulohen diagnoza të reja

ASTRIT BECI

TIRANE-Menaxhimi më i mirë i fondeve të barnave të rimbursueshme, negociimi i çmimeve të barnave si dhe mbështetja e Qeverisë për zgjerimin e listës, kanë sjellë efekte mjaft pozitive për rimbursimin e barnave. “Listës së barnave të rimbursueshme i janë shtuar edhe 56 barna të reja, mes të cilave formëdoza të reja dhe kombinime të reja barnash, duke e çuar në 477 numrin e barnave në listën e rimbursimit”, u shpreh pas miratimit të listës së re të barnave të rimbursueshme, drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, dr. Astrit Beci.
Për herë të parë këtë vit, falë ligjit të ri të Fondit, është bërë e mundur të hartohet lista e rimbursimit në Institucionin tonë, përmes një procesi të suksesshëm negociimi dhe konsultash me katedrat kryesore, me shoqatat e pacientëve dhe grupet e interesit.
Lista e barnave të rimbursueshme 2014, ka patur progres, pasi, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka përfshirë nevojat reale të popullatës, bazuar në përparësitë reale të shërbimeve kryesore. Lista është zgjeruar për të gjitha kategoritë, veçanërisht për fëmijët, gratë shtatzëna, pensionistët, të sëmurët me kancer, të sëmurët kardiakë etj.

“Këtë vit, do të kemi përmirësim të ndjeshëm në trajtimin e disa nozologjive si: diabeti, anemitë, sëmundjet kardiake, gjithashtu në trajtimin e të sëmurëve me kancer, në neurologji, në nefrologji, në kujdesin paliativ, në dermatologji, gjinekologji, urologji, shendetin mendor, alergiologji dhe okulistikë. Por, risia më e madhe e këtij viti, është trajtimi i disa sëmundjeve të pambuluara më parë nga lista e barnave të rimbursueshme”, tha drejtori i Fondit, Beci.Fondi i listës së barnave është rreth 8.4 miliard lekë të reja dhe do të mbulohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Lista e re pritet të hyjë në fuqi më datë 1 prill 2014.

Janë shtatë diagnoza të reja që mbulohen nga lista e barnave të rimbursueshme këtë vit. Disa lloje kanceri trajtohen aktualisht nga lista e barnave të rimbursueshme dhe në listë janë futur kombinime që përmirësojnë trajtimin e tyre, por për herë të parë, do të mbulohen nga lista e rimbursimit edhe lloje të tjera kanceri si ai i pulmonit, kanceri rektal, i lëkurës, i heparit etj. Bëhet fjalë, për rreth 600 pacientë më shumë që do të përfitojnë nga barnat e reja për trajtimin e disa lloje kanceri. Trajtimi i Hepatitit B dhe C, janë përfshirë në listë barna që nuk lejojnë kronicizimin e sëmundjes si dhe barna për mjekimin e hepatiteve. Parandalimi i trombozave – barna që përdoren pas ndërhyrjeve kirurgjikale si dhe në gratë shtatzana që vuajnë nga venat varikoze, në 3 mujorin e fundit të shtatzanisë. Çrregullimet hormonale te fëmijët me pubertet të hershëm. Osteoporoza te gratë.

Për herë të parë gjithashtu është përfshirë një bar për të ulur një plagë sociale si alkooli. Bëhet fjalë për një medikament për varësinë ndaj alkoolit. Po ashtu mbulohet edhe diagnoza, degjenerim i syrit që të çon në verbëri.

Leave A Comment