August 2, 2014

Thaçi jep urdhrin e deshmorit per Zyberajn, Gashin, Hajdan, Mullaabazi

rahoveci“Viti 1998 ishte vit vendimtar, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e mbështetur gjerësisht nga të gjitha shtresat e popullsisë, nga bijtë dhe bijat më të mirë, të trojeve shqiptare dhe nga diaspora, kishte dalë hapur në skenë duke u bërë zëri kryesor i interesave dhe idealeve shekullore për liri” – tha kryeministri Thaçi në Akademinë Përkujtimore “Epopeja e  Rahovecit”, që u mbajt në shtëpinë e kulturës në Rahovec

Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Akademinë Përkujtimore “Epopeja e Rahovecit”, mbajtur në Shtëpinë e Kulturës  në Rahovec.

Zonja dhe zotërinj,

Sot, jemi mbledhur këtu për të shënuar 15 vjetorin e njërës prej epopeve më të ndritura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Betejën e Rahovecit, që ishte Beteja e Kosovës dhe e Kombit e filluar më 17 korrik 1998.

Si bashkëluftëtarë i juaji, më lejoni t’ju them se  nga ajo ditë nga ai moment, kurrë në jetën time nuk më është larguar  Rahoveci, qytetarët e Rahovecit, sakrifica juaj, beteja juaj, vetëmohimi juaj, shpirti juaj çlirimtar.

Gjithmonë në jetën time më ka përcjellë në mendje, shpirt dhe zemër ajo betejë, ajo sakrificë, ajo sakrificë e dëshmorëve të lirisë, e heronjve të Kosovës, këtyre bashkëluftëtarëve, dhe ju të gjithë pa dallim në qytet dhe fshat, ishit shndërruar në çlirimtarë.

U zhvilluan beteja të ashpra operative mes njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mes bijve dhe bijave tuaja më të mirë, mes juve dhe ushtrisë e policisë serbe. Ishin beteja të ashpra, me ditë të tëra, por mund t’ju them se beteja e Rahovecit, ishte fitorja më madhështore dhe më e fuqishme politike dhe ndërkombëtare deri në atë kohë për Kosovën.

Beteja e Rahovecit bëri që mediat botërore të jenë të gjitha në Rahovec. Beteja e Rahovecit bëri që diplomacia botërore të lëvizë edhe më shpejt, edhe më fuqishëm në favor të kauzës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Prandaj, sot të gjithë duhet të kthehemi për një moment, për të kujtuar ku ishte Rahoveci 15 vite më herët.

Me Rahovecin ishim të gjithë ato ditë, ishte gjithë Kosova, ishte gjithë kombi dhe kishte vëmendjen e gjithë  botës demokratike dhe kjo duhet të na bëjë të gjithë neve të ndihemi mirë dhe krenarë, krenarë për të kaluarën, krenarë për të sotmen dhe krenarë dhe me vetëbesim të plotë për të ardhmen.

Të nderuar të pranishëm,

Jemi tubuar për t’i bërë nderimet më të larta shtetërore dhe institucionale Epopesë së Rahovecit dhe personaliteteve që kontribuuan me sakrificën supreme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Viti 1998 ishte vit vendimtar, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e mbështetur gjerësisht nga të gjitha shtresat e popullsisë, nga bijtë dhe bijat më të mirë, të trojeve shqiptare dhe nga diaspora, kishte dalë hapur në skenë duke u bërë zëri kryesor i interesave dhe idealeve shekullore për liri.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës po forcohej në të gjitha frontet.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës po shtrihej territorialisht në tërë gjeografinë e Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës po ballafaqohej seriozisht me aparatin ushtarak dhe policor të Beogradit.

Lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e gjithë popullit të Kosovës, po fillonte të kuptohej gjithnjë e më shumë në qendrat e diplomacisë perëndimore.

Zonja dhe zotërinj,

Në analet e historisë moderne të Kosovës  Beteja e Rahovecit e 17 korrik të vitit 1998 konsiderohet ndër ngjarjet  më vendimtare për kalendarin luftarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë betejë u sprovua karakteri urban dhe vlerat humane të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës, e cila si betejë hyri në qendër të qytetit të Rahovecit, pa cenuar  pjesëtarët e popullatës civile serbe.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës në  qytetin e Rahovecit zhvilloi luftime kundër forcave policore dhe ushtarake serbe që nga drejtime të ndryshme tentonin për të depërtuar në qytet.

Beteja e Rahovecit e zhvilluar prej 17 deri  më 26 korrik 1998 është krenaria e Zonës Operative të Pashtrikut dhe krenaria e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e shndërruar në Epope.

Beteja e Rahovecit është faqe ndritur e historisë sonë sepse në krye të saj qenë ushtarët e guximshëm, eprorët, drejtuesit, organizatorët dhe idealistët që me vendosmëri titanike ishin rreshtuar nga ana e lirisë së Kosovës.

Në Rahovec nuk luftuan vetëm rahovecasit, në Rahovec luftuan të gjithë për Rahovecin sepse, Beteja e Rahovecit ishte Beteja për Kosovën.

Zonja dhe zotërinj,

Në mesin e tyre ishin pesë personalitetet të cilat sot nderohen me titullin më të lartë për kontribut jetësor, Heronj të Kosovës.

Të nderuar të pranishëm, ju qytetarë të Rahovecit,

Sot nderojmë me pietetin  më të lartë atdhetarin dhe klerikun e pathyeshëm Sheh Myhedin Shehun, pjesëtarët, organizatorët dhe komandantët e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Mensur Zyberaj,  Xhelal Hajda, Selajdin Mullaabazi dhe Bedrush Gashi.

Zonja dhe Zotërinj,

Tek emri dhe jeta e secilit prej tyre qëndron një biografi e përkushtimit për idealin e lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Sheh Myhedin  Shehu, ishte personalitet i rëndësishëm në organizimin e të gjitha formave të rezistencës kombëtare në periudhën 1941-1999.

Ai dhe familja e tij ishin burim frymëzimi jo vetëm për Rahovecin, por edhe më gjerë.

I frymëzua nga pararendësit e tij, ai përjetoi kolonizimin e Kosovës dhe dëbimin e shqiptarëve në Turqi që para luftës së Dytë Botërore.

I lidhur me qarqet patriotike nacionaliste, Sheh Myhedini, nga komunizmi jugosllav  burgoset tri herë.

Sheh Myhedini përkrah  protestat  kundër mbylljes së shkollës shqipe në vitet 90 të shekullit të kaluar, merr pjesë në  Lëvizjen për Pajtimim e Gjaqeve, në aksionet  “Familja i Ndihmon Familjes.”

Sheh Myhedini ishte i pathyeshëm gjithmonë, ai këshillonte gjithmonë të tjerët, këshillat e tij shndërroheshin në burim frymëzimi për të gjithë.

Ushtrinë  Çlirimtare të Kosovës e përkrahu me zemërgjerësi, duke angazhuar edhe anëtarët e familjes.

Sheh Myhedini  ekzekutohet në Teqen e Madhe të Halvetive në Rahovec më 21 korrik të vitit 1998, sepse nuk pajtohet me kërkesat e armikut për ndërprerjen e operacioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai qëndroi në Teqe për t’u shndërruar në simbol të qëndrese, për të dërguar mesazhin më të mirë të mundshëm dhe më të fuqishëm të mundshëm, se nga shtëpitë dhe trojet tona nuk lëvizim, pavarësisht nga artileria dhe dhuna serbe.

Mensur Zyberaj, një bashkëluftëtar i brezit tim… shok dhe mik imi, që nga koha e studimeve, rridhte nga një familje që kishte kundërshtuar vazhdimisht sundimin e Kosovës.

Si student Mensuri, me të  gjithë vëllezërit lidhet me veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare, udhëheqës të lëvizjeve studentore.

Mensuri, ishte pjesë aktive e lëvizjes ilegale kombëtare edhe para viteve nëntëdhjetë.

Mensuri kishte  kontakt me bërthamat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, merr pjesë në aksione dhe jep kontribut të jashtëzakonshëm në furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me logjistikë.

Mensuri dhe familja e tij dhe bashkëluftëtarët e tij, ishin shndërruar në një fuqi të pathyeshme për armikun, ishin shndërruar në një fuqi që ju jepnin energji jo vetëm fshatit të tyre, jo vetëm Rahovecit por gjithë Kosovës.

Mensurin e njihnim të gjithë, e respektonim të gjithë dhe e admironim të gjithë për kurajon, energjinë, vullnetin, guximin dhe vizionin e tij.

Me fillimin e luftës së hapur, Mensuri merr pjesë në të gjitha betejat e Anadrinisë, në Betejën e Rahovecit,  dhe në fund,  në Betejën e Mileskës, ku bie heroikisht më 28 maj 1999, në kohën kur duhej të merrte detyrën e zëvendës komandantit të Zonës Operative të Pashtrikut.

Xhelal Hajda – Toni,  i kalitur në betejat në mbrojtje të Kroacisë, sapo shpërthen lufta në Kosovë, është ndër eprorët e parë që hyn në Kosovë, krahas shumë figurave të respektuara ushtarake të Kosovës.

Që në ditët e ara të hyrjes së tij në Kosovë, kisha përgjegjësinë që të takoheshim, të bisedonim por edh të mobilizoheshim edhe më fuqishëm për betejat që na prisnin në Kosovë, duke respektuar gjithmonë eksperiencën e tij kundër ushtrisë dhe policisë serbe në Kroaci.

Toni është pjesëmarrës i të gjitha beteja të Anadrinisë dhe në mënyrë të veçantë  oganizon mbrojtjen e fshatrave në Jug të Malishevës.

Ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e infrastrukturës së kazermave të Zonës Operative të Pashtrikut.

Bie heroikisht në krye të detyrës, në betejë të hapur dhe të drejtpërdrejtë me ushtrinë dhe policinë serbe.

Selajdin Mullaabazi – Mici,  një djalë brilant, i jashtëzakonshëm me energji të pathyeshme, trim i rrallë, ishte po ashtu komandant i shquar i Zonës Operative të Pashtrikut,  që së bashku me Tonin  formojnë Batalionin e parë të Brigadës 124 “Gani Paçarizi”.

Mici dha një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e Zonës Operative të Pashtrikut, dhe në avancimin e kulturës së kazermës.

Bie heroikisht me Tonin në krye të detyrës, më 6 nëntor 1998.

Bedrush Gashi,  ishte një veprimtar i shquar që nga koha e demonstratave të vitit 1981.

Veprimtar i shquar i radhëve ilegale për Kosovën Republikë, ishte ndër aksionarët e parë të Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës, ishte njeri i jashtëzakonshëm me energji të pathyeshme, ishte shumë  i vendosur, shumë trim, njeri i aksionit, njeri me vizion.

Prandaj, kur shoh prindin e tij sot këtu ndihem tepër i emocionuar, për gjithë aktivitet të përbashkëta që kemi zhvilluar, në veçanti në vitin 1998, kur ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare mund t’i numëronim në gishta por në Rahovec, në Drenoc kishte gjithmonë bijë dhe bija të shquar që sakrifikonin,  që shquheshin për veprimtari konkrete në luftë kundër ushtrisë dhe policisë serbe.

Kontributi i Bedrushit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës daton që në vitet e hershme, ku u shqua në mënyrë të veçantë për organizim, për mobilizim dhe logjistikë, por edhe luftime konkret kundër ushtrisë dhe policisë serbe.

Me fillimin e luftës merr pjesë në të gjitha betejat e Anadrinisë, në Betejën e Rahovecit.

Bedrushi ka dhënë një kontribut të shquar  duke ndihmuar ushtarët e viseve të ndryshme të Kosovës rreth furnizimit me armatim përgjatë zonave kufitare.

Zonja dhe zotërinj,

Unë sot këtu shoh bashkëluftëtarë dhe heronj të gjallë, dhe dua t’ju them se të gjithë ata bashkëluftëtarë që rezistuan dhe luftuan kundër ushtrisë dhe policisë serbe, me heroizmin e pashoq, janë heronj të Kosovës, janë njerëzit që ia sollën lirinë vendit tonë, janë njerëzit që sakrifikuan gjithçka dhe askush  më tepër nuk mund të fol për luftën se sa Rahoveci.

Secila familje juaj ka qenë e persekutuar, secila familje juaj ka qenë e nënshtruar ndaj dhunës serbe, por në të njëjtën kohë çdo familje juaja ka qenë një bazament i fuqishëm për lirinë e Kosovës, secila familje nga ju ishte shndërruar në një shtab të rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prandaj, secili nga ju duhet të ndiheni mirë dhe krenar për rezistencën tuaj heroike, shteti i Kosovës është krenar me Rahovecin, me luftën e Rahovecit, me sakrificën e bijëve dhe bijave të Rahovecit.

Kontributi i këtyre personaliteteve është i jashtëzakonshëm në rrafshin organizativ të formacioneve të para të organizimit të rezistencës së armatosur në Anadrini dhe në tërë Zonën Operative të Pashtrikut.

Secili prej tyre është i lidhur me Epopenë e Rahovecit dhe betejat në arealin e Anadrinisë dhe gjithë Kosovës.

Bedrush Gashi, Hero i Kosovës, me vëllain dëshmor, Feimin, mbeten figura të përjetshme të dëshmorëve dhe heronjve të lirisë së  Kosovës.

Mensur Zyberaj,  Hero i Kosovës,  simbol i organizimit të djelmoshave të më të zot të Anadrinit në radhët e UÇK-së.

Selajdin Mullabazi -  Hero i Kosovës, shtyllë e organizimit të rezistencës në Rahovec.

Xhelal Hajda, – Toni, Hero i Kosovës,  nga frontet e Kroacisë -  titan i pathyeshëm i betejave të Anadrinisë.

Sheh Myhedini, Hero i Kosovës, shembull i udhëheqësit fetar i cili me vdekjen e tij e jetësoi kuptimin  e fjalë se pa Atdhe nuk ka Fe, një pasues i idealeve të Halim Spahisë, mbështetës deri në fund i luftës taktike dhe strategjike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Sot, shteti i Kosovës i konsoliduar dhe i forcuar çdo ditë e më tepër me vizion të qartë për t’u integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian nderon heronjtë e vet.

Lavdi dëshmorëve dhe heronjve të kombit!

*********************************

Pas përfundimit të akademisë përkujtimore, kryeministri Thaçi, vizitoi Teqen e Madhe,  të qytetit të Rahovecit dhe familjen e Heroit Sheh Mihidini, ku iu organizua një pritje madhështore, udhëheqësit fetarë, familjarë të Sheh Mihidinit, dhe qytetarë të shumtë rahovecian.

Gjatë pritjes së organizuar, trashëgimtari i Heroit Sheh Mihidini,  Sheh Besimi, falënderoi kryeministrin Thaçi për nismën e tij, për dekorimin e dëshmorëve të Rahovecit me titullin Hero i Kosovës dhe vlerësoi lart sakrificën dhe kontributin  e kryeministrit Thaçi, që nga periudha e luftës çlirimtare dhe në vazhdimësi, në konferencën e Rambujes që rezultoi me intervenimin e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës, pastaj në procesin e Vjenës që rezultoi me pavarësinë e   Kosovës dhe tani në procesin e konsolidimit dhe forcimit të shteti të Kosovës që do të rezultojë me integrimin e Kosovës në Bashkimin e Evropian.

Leave A Comment