July 28, 2014

amc-spring980x100px

Alket Rizai: Kam dhënë 90 mijë euro për organizatën “Buzëqeshja e Fëmijës”

rizai“Zoti qoftë me ty!” Ky është mesazhi që i dënuari Alket Rizai i dërgon përmes qelisë së tij në burgun e Domokos në Greqi, të shumëkërkuarit Marian Kola, ndërsa në ndjekje të këtij të fundit, janë vënë pothuajse 1000 policë, komando EKAM dhe helikopterë.

Në një intervistë për gazetën “Espresso” Rizai shprehet se ndërmarrja më e madhe e policisë greke mund të përfundojë vetëm në dy mënyra: ose Marian Kola do të vdesë ose do të përfundojë i sigurt në Shqipëri. “Edhe në qoftë se dorëzohet, policia do ta vrasë”, thotë Rizai, dhe shpjegon: “Dy të tjerët (Edison Lika dhe xhaxhai i tij) u vranë pa iu bërë thirrje për t’u dorëzuar. Unë uroj që të mos vritet. Pa marrë parasysh se çfarë thonë njerëzit, Kola nuk është kriminel”, shprehet ai.

Lidhur me vdekjen e 25 vjeçares Katerina Zogali dhe policit 37 vjeçar, vrasje për të cilat akuzohet Marian Kola, Rizai thotë se ato ishin aksidentale. “Perëndia e coi vajzën e gjorë në vendin e gabuar, në një moment të pafat. As policin në Distomo, Kola nuk donte ta vriste, por e qëlloi në këmbë. Po të ishte vrasës a nuk do t’i kishte vrarë 3 policë të çarmatosur?”, vijon ai.

Alket Rizai edhe në këtë intervistë akuzon gjykatat për vendimet e padrejta: “Keni parë të hedh qoftë edhe një plumb kundër policëve? Asnjëherë nuk e kam bërë, sepse nuk më kanë faj ata. Fajin e kanë disa gjykata e gjykatës. Më kanë dënuar për vrasje, pa asnjë provë”. Ai deklaron së dëshiron që pasi të përfundojë dënimin, të jetojë në mënyrë paqësore, por trembet se nuk do t’ia dalë dot. “Dhe një kilometër larg nga shtëpia ime të bëhet vrasje, mua do të vijnë për të më kapur,” thotë ai.

Lajmi se Marian Kola kishte planifikuar të ndihmonte arratisjen e Alket Rizait, ka shkaktuar reagimin e këtij të fundit. Rizai mohon se me Kolën janë miq apo se ishin në kontakt. “Unë e njoha në burg, por nuk kemi pasur marrëdhënie. Por e dini çfarë? Thuhen shumë gënjeshtra rreth tij. Gënjeshtra u thanë edhe për ngjarjen në Virona (vendi ku u arrestua për herë të parë Marian Kola). U tha se kishte vrarë një shqiptar gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Pastaj se qëlloi një polic. U tha se do t’i vinte eksploziv burgut të Domokos, por kjo do të ishte vetëvrasje, veçanërisht pas asaj që ndodhi në Trikala”, thotë Rizai dhe shton: “Që kur kam ardhur këtu, ka 200 policë rreth e rrotull”.

Më pas argumenton se kanë dashur ta ngatërrojnë me vepra, që siç thotë, i urren dhe nuk do t’i bënte kurrë. “Unë kurrë nuk kam shitur drogë, dhe nuk jam marrë me trafik prostitucioni. Paratë e fituara nga këto punë, shkojnë ose për ilaçe ose për funerale”, shprehet Rizai dhe së fundi bën pohimin më të papritur. Ai thotë se ka mbështetur financiarisht organizatën “Buzëqeshja e Fëmijës” duke premtuar se do ta bëjë përsëri. “E kam bërë me të vërtetë! Nga viti 2000 deri në 2002 kam dhënë 90 000 €. Ekzistojnë dokumentet”, siguron Alket Rizai. (“Buzëqeshja e Fëmijës” është organizata e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, një organizatë që gjithashtu ndihmon në gjetjen e fëmijëve të zhdukur).

Gazeta “Espresso” pas intervistës kontaktoi drejtorin e organizatës “Buzëqeshja e Fëmijëve”, Kostas Ianopulos për të vërtetuar deklaratën e Rizait. “Është e vërtetë se ne kemi donacione të mjaftueshme nga të burgosurit, por shumica janë anonime. Unë nuk jam në gjendje të them, nëse Alket Rizai është një prej tyre”, është përgjigjur ai.nevvs24

Leave A Comment